Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka nxjerrë për konsultim draftin e ligjit të taksës së pasurisë ku përfshihet taksa e pronës, taksa e ndërtesës dhe taksa e tokës bujqësore. Sipas ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, dy taksat e para do të fuqizohen në vitin 2026 dhe e fundit në vitin 2028.
Taksa e pronës
Kjo taksë përfshin pasuritë e paluajtshme dhe do të llogaritet si shumëzim i vlerës se taksueshme të pasurisë së paluajtshme me shkallen e zbatueshme të taksës, që vendoset nga Këshilli Bashkiak i çdo Bashkie. Norma nuk është fikse por është brenda një fashe.
Për ndërtesat që kategorizohen si prona rezidenciale shkalla e taksës do të variojë nga 0.1%-0.2%.
Për ndërtesat që përfshihen në kategorinë e pronave bujqësore – blegtorale, shkalla e taksës mund të jetë nga 0.15%-0.25% .
Për ndërtesat që janë prona tregtare, shkalla e taksës do të jetë 0.15% dhe 0.25%. Kaq do të jetë edhe për ndërtesa industriale.
Parcelat, që përfshihen në kategorinë e pronave bujqësore – blegtorale, shkalla e taksës mund të jetë nga 0.1 në 0.3%. E njëjta shkallë do të jetë dhe për parcelat e pronave pyjore dhe rezidenciale.
Për pronat industriale shkalla e taksës do të jetë 0.15-0.3%.
Taksa e ndërtesës
Të njëjtat ndarje dhe fasha do të përdoren edhe për taksën e ndërtesës. Detyrimi për taksen mbi ndërtesën llogaritet si shumëzim i bazës se taksës me shkallën e taksës mbi ndërtesën.
Për ndërtesat që shfrytëzohen për banim taksa do të jetë 0.5%.
Për ndërtesat ku zhvillohen veprimtari ekonomike, biznese, do të jetë 0.2%.
Një normë të lartë taksimi do të kenë edhe sipërfaqet ndërtimore që nuk është përfunduar në kohë, 30%.
Taksa e tokës bujqësore
Baza e taksës për token bujqësore është sipërfaqja e tokës bujqësore, në hektar, në pronësinë ose posedimin e taksapaguesit dhe niveli i taksës do të caktohet në lekë për m2.
Detyrimi i taksës llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e taksueshme.
Sipërfaqja e tokës në pronësi përcaktohet sipas dokumentacionit të vërtetimit të pronësisë. Në rast të mungesës se dokumentacionit të vërtetimit të pronësisë, poseduesi i tokës bujqësore bën një vete-deklarim të sipërfaqes se tokës bujqësore, pranë Bashkisë ku ndodhet toka. Për disa kategori minimale të tokës bujqësore, Këshilli Bashkiak mund të miratojë nënkategori. (Shih tabelat)




Përjashtimet nga taksa e pasurisë
Draftligji parashikon një sërë ndërtesash të cilat përjashtohen nga taksa e pasurisë së paluajtshme dhe të tilla janë të listuara në një nen të veçantë disa.
Të tilla janë pronat shtetërore, pronat fetare, ndërtesat e papërfunduara që në 30 nëntor të vitit të para vitit tatimor janë duke u ndërtuar, strukturat akomoduese hotel, resort me katër dhe pesë yje që janë marka ndërkombëtare, njësitë rezidenciale të ndërtesave që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara, njësitë rezidenciale që deklarohen si në pronësi apo posedim të kryefamiljarëve që janë në skemën e ndihmës ekonomike, njësitë rezidenciale të pensionistëve që kanë vetëm pension si të ardhur.
Të ardhurat e mbledhura nga taksa e pasurisë derdhen për llogari te Bashkisë, në territorin e së cilës ndodhet pasuria e paluajtshme që përdoren nga Bashkia në përputhje me legjislacionin në fuqi për financat e vetëqeverisjes vendore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.