Gazeta Si – Pesë persona janë arrestuar këtë të martë, pasi dyshohet se transportonin lëndë narkotike nga Kosova në Tiranë dhe më pas e shpërndanin në lokalet e natës dhe në zona bregdetare të vendit.
Kreu i Drejtorisë së Policisë Tiranë, Tonin Vocaj, tha se janë sekuestruar 11 mijë e 300 tableta ekstazi me peshë 5 kg dhe me vlerë tregu rreth 400 mijë euro, që vinin nga Kosova nëpërmjet linjës së autobusëve të pasagjerëve Prishtinë-Tiranë.
“U siguruan provat ligjore për aktet kriminale dhe u arrestuan pjesëtarët e grupit kriminal. Grupi përbëhej nga 5 persona që trafikonin sasi të mëdha ekztazie nga Kosova në Tiranë. Droga transportohej me autobus të linjës Kosovë Tiranë. Pasi dërgesat mbërrinin në Tiranë, transpotoheshin me makina me qera drejt qyteteve të tjera. Trafikanët kërkonin pagesa paradhënie. Ekztasi, disa doza kanabis dhe disa aparate celulare janë sekuestruar”, tha Drejtori i Policis së Tiranës, Vocaj.
Në pamjet e bëra publike të operacionit, shihen dozat e lëndës narkotike ekstazi dhe tabletat me logon e markës ‘Louis Vuitton’. Mësohet se autorët e shpërndanin drogën nëpër plazhet e vendit.
Mësohet se dy prej të arrestuarve janë shtetas nga Kosova, ku njëri prej tyre, Besnik Mujeci, është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, më konkretisht anëtar i Asamblesë komunale të Prishtinës. Të arrestuarit e tjerë janë: Mithat Ramadani, Kalem Picari, Ambra Myftari dhe Daniel Avdia.
Punonjësit e policisë janë infiltruar në disa raste si klientë, ku edhe kanë vëzhguar nëpër lokalet e natës në zonën e ish-Bllokut se si shitej droga sintetike.
Personat në fjalë kishin gjetur edhe një metodë të pazakontë për të shitur drogën, duke e mbështjellë me një letër, në të cilën ishte stampuar edhe logoja e “Louis Vuitton”.
Ajo që vinte në sy gjatë përgjimeve dhe mbajtjes në vëzhgim nga agjentët, ka rezultuar se të dyshuarit, por edhe persona të tjerë që janë bashkëpunëtorë, gjatë muajve të verës kanë shitur këto doza ekstazi edhe në zonat e plazhit, si në zonën e Himarës apo të Dhërmiut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.