Ana e errët

Dosjet e policisë për minorenët shqiptarë: por rriten hajdutë, por edhe gjobëvënës, shantazhues…

Ka pak kohë që Arnild T. ka mbushur 18 vjeç, por ai akuzohet për një vepër që zakonisht rëndon mbi emra të njohur të kriminalitetit në vend. Ai u hetua katër muajt e fundit për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie dhe për këto veprime që i kanë sjellë stres fqinjit të tij, adoleshenti është marrë i pandehur nga prokuroria.

Shuma që ai përvetësoi nga një fëmijë i moshës 11 vjeç në total është 15 mijë lekë të reja, por për prindërit e “viktimës”, por edhe për drejtësinë mënyra si ai veproi duke kanosur fëmijën formojnë elementët e kryerjes së një krimi. Ndaj dhe ai në përfundim u vendos nën akuzë për gjobëvënie.

Gjobëvënia u zbulua nga Xh. M, i cili sipas burimeve të gazetës “Si” në muajin shkurt u kthye në shtëpi duke qarë, pas shumë javëve kur ai merrte të holla dhe i jepte te fqinji. “Do t’i them babit që pi cigare”... ky ka qenë kërcënimi i parë që ka hedhur në grep fëmijën. Menjëherë pas këtij veprimi fëmija ka nxjerrë nga sirtarët e prindërve 5 mijë lekëshen e parë, por kur ai i ka dorëzuar kërcënimet e adoleshentit kanë shtuar edhe shkeljen e fundit. “Do t’i them babit që ke vjedhur lekë te shtëpia”.

Sipas burimit të gazetës “Si” për dy javë fëmija i ka dhënë Arnildit 15 mijë lekë. Psikologu shkruan në dosjen hetimore të përpiluar në komisariatin numër 6 se "del qartë se viktima e mitur është kanosur dhe kërcënuar". Gjithashtu është pyetur mbi rrethanat e sipërpërmendura edhe një i mitur tjetër, dëshmitar në ngjarje që ka pohuar frikësimin e bashkëmoshatarit. Çështja u zbulua pas kallëzimit të një prindi që kishte vërejtur se sa herë komshiu më i rritur thërriste të birin, ai trembej dhe panikosej.

Por se çfarë po ndodh me adoleshentët e tregon më së miri dosja tjetër e përpiluar në polici. Një psikologe që jeton me qira në rrugën “Don Bosko”, gjeti poshtë ballkonit disa çokollata, karamele dhe disa letra të shkruara në anglisht, ku një i panjohur me shkrim dore e kërcënonte se do ta vriste. Afër letrave me shkrim dore, i kishte lënë pavarësisht fjalëve të frikshme ushqime të ëmbla. Letrat lexonin “im going to kill you danger girl beworeand de prapered” si dhe Beware girls im gon kild you”. Pranë tyre thotë vajza që studion master shkencor për psikologji kishte veç çokollatave edhe karamele.

Menjëherë psikologia i është drejtuar policisë që sidoqoftë e ka pyetur nëse kishte ndonjë problem apo ndonjë kundërshtar. Vajza ka mohuar me kokë. Kur agjentët nisën kontrollet poshtë ballkonit të vajzës dhe më pas pyetën pronarin e shtëpisë, mësuan se ngjitur me vajzat jeton një çift që ka një djalë të moshës 11 vjeç. “Pas letrave dhe çokollatave thotë kallëzuesja, mora vesh që djali i çiftit është i apasionuar pas filmave horror dhe me shumë mundësi ai duhet të ketë kopjuar diçka”. Pasi ka vjelë këtë informacion  vajza M.K ka tërhequr kallëzimin, e bindur se kishte mësuar mjaftueshëm për të miturin që kishte hedhur letra edhe për të tjerët nga dritarja. Heq dorë nga ankimi dhe kallëzimi im pohon ajo,  pasi fqinja në moshë të tretë më tha që edhe ajo kishte gjetur letra dhe karamele, dhe pasi kishte kuptuar që ishte shkrim fëmijësh kishte këshilluar prindërit të mbyllnin televizorin. Aktet e këtij procedimi penal, tha burimi i gazetës “Si” mbajnë numrin 9384 dhe ishin regjistruar për veprën e kanosjes për jetën. Duket, shtuan burime të gazetës “Si”, se me pushimin e hetimit kanë qenë dakord të gjithë, përfshi edhe denoncuesen, por edhe policinë dhe prokuroren e gatshme që i janë bindur ligjit për mospërfshirjen e një fëmije në hetime për një ngjarje që pavarësisht të gjithave, duhet ta ketë pasur pikënisjen nga filmat.

Por sociologu Gëzim Tushi gjatë një bisede me gazetën “Si” tregon se shoqëria nuk po bën asgjë për të parandaluar trendin e përfshirjes të të miturve dhe adoleshentëve në krime që nga më të lehtat deri te të rëndat. “Të miturit dhe adoleshentët po përfshihen përherë e më tepër në kriminalitet nga mungesa e kontrollit të  prindërve, por edhe nga rënia e autoritetit të disa institucioneve, ku veç shkollës përfshin si të tillë edhe rregullat e një shoqërie”, shton sociologu i njohur. Gëzim Tushi shprehet se ka disa faktorë, pasi adoleshentët kanë filluar t’i shpëtojnë kontrollit familjar. Dhe kjo lidhet me uljen e vigjilencës së prindërve, duke i lënë adoleshentët të zhvillohen vetë përmes sistemeve të gjera të komunikimit, kjo pavëmendje sjell këtë shqetësim. Mosha e para adoleshentëve dhe adoleshentëve është shumë e rëndësishme, por edhe e rrezikshme dhe e rrezikuar për arsye se pjekuria e tyre fizike dhe papjekuria e tyre mendore është në një kontradiktë të përhershme. Ndërkaq kjo ka qenë edhe burim i deviacioneve.

Në këtë pikëpamje shtohen edhe shumë faktorë të tjerë sikurse rënia e autoritetit të shkollës si institucion për edukimin e tyre, ulja e autoritetit të mësuesve ka bërë që adoleshentët të gjenden jo vetëm të braktisur. Në këtë kontekst duket sikur adoleshentët i kemi lejuar të procesojnë në nivelet më të ulëta, në nivelin e instinktit sikurse vjedhjet, krimi, krimet seksuale, për këtë arsye përfshirja e tyre bëhet akoma më e shpeshtë. Për këtë arsye është i domosdoshëm funksionimi i të gjitha institucioneve, qofshin ato edhe morale. Në këto rrethana ata ndodhen në një lëvizje kaotike, pa u orientuar nga sistemi i vlerave. Ne jemi në pritje të qytetarëve të formuar e dinjitozë, por kam frikë se po na vijnë hajdutë, zhvatës, gjobëvënës, pra që nuk pranojnë normat e sigurisë shoqërore dhe kjo përbën një shqetësim, por ky shqetësim nuk është vetëm te ne, por është botërore”, nënvizon sociologu i njohur.

Rasti më i fundit i njoftuar zyrtarisht nga Policia e Shtetit është ajo e arrestimit të një 65-vjeçari që pasi abuzoi me një 15-vjeçare, videon e saj ua dërgoi edhe tre adoleshentëve të tjerë, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin  dhe duke e kërcënuar vajzën se do t’i publikonin videon kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë. “Më pas ata kanë bërë video intime që t’ua shpërndanin personave të tjerë, por me ndërhyrjen e policisë kriminale ky krim u parandalua më tej”, deklaron zyrtarisht policia.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë