Ana e errët

Dosja ekskluzive-Si po kërcënohet të dështojë gjyqi ndaj Shullazit

Duket sikur shumë pak kishte mbetur me vullnetin për të mësuar se çfarë vendimi do shpallte këtë të hënën gjykata e apelit për krimet e rënda ndaj Emiliano Shullazit, Gilmando Danit, Endrit Zela dhe Endri Qyqa dhe Blerim Shullazi. Seanca u shty sërish.  Që  prej muajit janar kur u hap sipari I procesit në shkallën e dytë , nuk është zhvilluar asnjë seancë.  Shullazi I dënuar me 14 vite burgim si kreu I grupit kriminal, nuk ka denjuar asnjëherë të dalë para trupës gjyqësore, ndërsa të tjerët herë kanë preferuar të lënë paraburgimin e të bëjnë shamatë me gjykatën e herë kanë firmosur me vullnetin e tyre duke kërkuar që të përfaqësohen nga avokatët. Por gjatë këtyre 11 muajve ka dalë përherë njëri nga avokatët e zgjedhur me dëshirë që ka munguar. Ajo që ndodh sakaq dhe që me shumë gjasë do ndodhë është sipas këtij skenari. Avokatët kryesisht që thërret gjykata befas sëmuren, ose zbulojnë se nuk janë të përgatitur mjaftueshëm. Gjyqtarët kërkojnë dorëheqjen. Të pandehurit kërkojnë përjashtimin e trupave gjyqësore që bien njëra pas tjetrës. Ndonjëherë të pandehurit revoltohen, braktisin sallën e pas tyre ikin edhe avokatët. Sot në orën 11.00  sërish siç ka ndodhur edhe më herët me gjykatën e krimeve të rënda për të akuzuarin Dritan Dajti, gjykata kishte thirrur sërish një avokate kryesisht, e cila më herët ka refuzuar të përfaqësojë interesat e të pandehurve, edhe pse në një rast për shpërfilljen ndaj gjykatës ajo edhe është gjobitur me 10 mijë lekë

Avokatët e sëmurë

“Për dy muaj nuk do jem në Shqipëri për arsye shëndetësore, pasi kam planifikuar  kontroll shëndetësor jashtë vendit . Këtë fakt do tua vërtetoj me një biletë avioni që gjendet bashkëlidhur kësaj kërkese .Kërkoj të mos më thërrisni më si avokate kryesisht në këtë çështje “ . Nëse do ishte një kërkesë e thjeshtë avokati për një gjyq rutinë, ndoshta do merrej e mirëqenë, dhe nuk do të dyshohej si një shmangie nga gjykimi. Por kërkesa lidhet me refuzimin e avokates kryesisht , e thirrur nga gjykata e apelit për krimet e rënda për të mbrojtur interesat e njërit prej të akuzuarve si bashkëpunëtor i Emiliano Shullazit. Kjo deklaratë mban datën 25 mars 2019 dhe është firmosur me numër protokolli numër 198  nga avokatja kryesisht Eralda Brahimasi. Avokatja kryesisht është thirrur sërish për t’u paraqitur në proces, pasi I pandehuri Endri Zela  ka mbetur pa avokatin e zgjedhur prej tij që pretendon se është sëmurë. Por vajza e re , u pa si një “shpëtim “ për të zhbllokuar seancat edhe gjatë muajit mars kur edhe një avokat tjetër I zgjedhur nga vetë të akuzuarit sapo kishte nisur lojën. Brahimasi sidoqoftë nuk pranoi as atëherë

Si nisi “loja”?

Gazeta “Si” konstaton se procesi në apelin tek  krimet e rënda nisi në 21 janar 2019. Emiliano Shullazi nuk u paraqit. Por kishte firmosur një shkresë ku deklaronte përfaqësimin e tij nga dy avokatët e njohur Vladimir Meçe dhe Ravik Gurra. Séanca e parë ishte një dështim I vërtetë, pasi nisi me shtyrje. Por përpara se ky proces të shënonte seancën e hapur për të gjithë, loja zhvillohet në një sallë tjetër. Pas  kuintave, gjyqtarët që ishin zgjedhur me short kishin vrapuar të kërkonin dorëheqjen. “Fati “ I shortit kishte zgjedhur si trupë gjyqësore kundër Emiliano Shullazit trupën e përbërë nga Gjovalin Përnoca, Sokol Binaj dhe Albana Boksin . Sipas burimeve të  gazetës “Si” , menjëherë pas  kësaj “mynxyre”, i pari që u zgjodh rastësisht nga shorti, gjyqtari Gjovalin Përnoca, në 13 dhjetor 2018,  I lutet kryetarit të gjykatës për heqje dorë nga gjykimi pasi sipas tij  “më 17 janar 2018 kishte qenë pjesë e veprimeve fillestare gjatë hetimeve ndaj Denis Shtrazës” , një çështje në të cilën ishin firmosur ekspertiza e përgjime edhe për anëtarë të bandës së Shullazit. Dorëheqja u pranua , duke e lënë me një anëtar më pak trupën. Por në të njëjtën ditë kërkon dorëheqjen edhe gjyqtari tjetër Sokol Binaj me arsyetimin “ shkaqe të rëndësishme që paragjykojnë paanshmërinë time pasi në cilësinë e anëtarit të kolegjit në Durrës kam gjykuar çështje civile ndaj shtetasit Agim Sula”.

 Nga qëmtimi I fakteve dhe historikut të këtij gjykimi ende pa u caktuar se kur do të zhvillohej séanca e parë ndaj Shullazit, trupa e parë kishte mbetur me vetëm një anëtare, që ishte Albana Boksi dhe që gjatë këtij viti pas shumë dorëheqjeve të tjera dhe përjashtimeve nga gjykimi, ajo është e vetmja që ka mbetur.  

Të tjerët që u dorëhoqën si Dhimitër Lara, Nertina Kosova , Idriz Mulkurti dhe Dhurata Haveri siç rezulton nga dosja që gazeta Si disponon dorëhiqeshin sipas nenit 17 a, pasi kishin marrë pjesë në masat e sigurimit personal ndaj të akuzuarve dhe nuk mundeshin të merrnin pjesë në gjykim . Gjatë kësaj kohe kërkuan dorëheqje edhe gjyqtarë të tjerë që shorti nuk kishte mëshirë dhe i zgjidhte si Nure Dreni, Arben Vrioni dhe Valdete Hoxha  për të cilët nuk u pranua kërkesa , por që sic ndodhi më pas dy prej tyre Dreni dhe Hoxha u përjashtuan nga gjykimi pasi njëkohësisht largimin e tyre e kishin kërkuar edhe të akuzuarit.

 Trupa që po gjykon Emiliano Shullazin

Sot ,kanë mbetur në trupë gjyqësore Albana Boksi, Etleva Temo dhe Arben Vrioni. Por edhe Vrioni ka kërkuar dorëheqjen për shkak se është shprehur se është kërcënuar por që ky pretendim asnjëherë nuk u hetua për të zbuluar . Arben Vrioni sipas shkresës që gazeta” Si” zotëron  jep detaje se si ditën që sa kishte mbyllur gjyqin ndaj Shullazit ishte qëlluar me makinë në mes të ditës, para qeverisë së gjyqësorit dhe para ministrisë së drejtësisë nga vëllai I njërit prej të akuzuarve. Por autoritetet mendojnë se ka qenë thjesht një aksident ndaj Orgest Dani, vëllai I Gilmando Danit dhe çështja  hetohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

 

Gilmando Dani i dyti nga e djathta

Në letrën për dorëheqje pas këtij incidenti  mjaft të  dyshimtë gjyqtari Vrioni thotë:

“ Siç jeni në dijeni në datën 9 shtator 2019 në gjykatën e apelit administrativ është zhvilluar séanca në drejtim të shtetasve Emiliano Shullazi e të tjerë. Pas përfundimit të seancës e cila u shty për vazhdimin e saj në datën 23 shtator 2019 , jam larguar me mjetin tim dukë lëvizur në drejtim dhe gjatë bulevardit Zogu I Parë. Përballë Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, rreth orës 10.30 jam goditur nga pas nga një automjet me targa AA 461 RR. Si pasojë automjeti në pronësinë time ju shkaktua një dëm jo I vogël , por ndërkohë mu shkaktua edhe mua shok psikologjik”

Gjyqtari shpjegon në letrën për dorëheqje se “më vonë kishte mësuar se personi që e kishte goditur me makinë ishte vëllai I Gilmando Danit , Orgest Dani.. më datën 12 shtator 2019, Gilmando Dani bëri kërkesë për përjashtimin tim , aty mësova se kush ishte vëllai I Gilmando Danit. Unë po ecja me 5 kilometra , më është thënë që mjeti që më goditi ishte me shpejtësi 60 deri në 70 km në orë “

Por kjo kërkesë për dorëheqje dhe nga ana tjetër kërkesa për përjashtim nuk është pranuar dhe Arben Vrioni vazhdon të jetë pjesë gjykimi. Por rekordi I kërkesave është shënuar nga të akuzuarit kundër gjyqtares  Saida Dollani, të cilës nuk I munguan edhe kërcënimet. Në fund përsa I përket Dollanit ajo u largua nga gjykimi me një vendim të një gjyqtari tjetër , që mendoi se të pandehurit kishin të drejtë. Por e gjitha kjo ndodhi pas dyshimeve se një familjar I gjyqtares Dollani ishte kërcënuar dhe  çështja përfundoi si një histori hetimore. A po përdoret e njëjta skemë me kërcënime edhe kundër Vrionit, mbetet për tu parë. Por jo zyrtarisht gazeta “Si” mëson se procesi po monitorohet në çdo episod dhe nga ndërkombëtarët, edhe pse ndryshe nga gjykimi në shkallë të parë ata nuk paraqiten më në seancë , por sidoqoftë procesi dhe çdo lëvizje , qoftë edhe nga avokatët ,po vëzhgohet. Paralelisht me seancat që dështojnë gjatë këtyre muajve siç zbulon gazeta si janë prezantuar 22 kërkesa për përjashtime nga të pandehurit, që siç duket nuk duan asnjë gjykatë ti gjykojë

Si dështoi drejtësia për 11 muaj?

Pas çeljes së gjyqit me dështim , e njëjta situatë pasoi edhe në vazhdim. Por strategjia u kuptua në datën 5 shkurt 2019, kur avokati I Gilmando Danit, Denion Bogdani nuk u paraqit pa dhënë asnjë shpjegim. Të tjerët që përfaqësonin interesat e Emiliano Shullazit, Endri Qyqes dhe Endrit Zelës ishin të pranishëm. Gjykata e apelit për krimet e rënda ra në grackën e mbrojtjes . Thirri një avokat nga lista kryesisht, I cili siç konstaton gazeta “Si” në procesin e radhës në 15 shkurt paraqiti një raport për paaftësi të përkohshme në punë . Raporti për avokatin kryesisht Sokol Kepi ishte lëshuar nga poliklinika numër 10, por edhe pse ai pretendoi se ishte I sëmurë për dy ditë, mungoi  edhe në seancës e datës 5  mars. Në atë kohë Ravik Gurra ( I vrarë më pas teksa pinte kafe në qytetin e tij ) I sugjeroi gjykatës :

“Mendoj që për t’i krijuar mundësi gjykatës që procesi të vazhdojë normalisht , gjykata të njoftojë edhe njëherë avokatin personal Denion Bogdani. Kjo do ishte efektive për procesin”.

Por gjykata veç avokatin personal për seancën e radhës për garanci thirri edhe Eralda Brahimasin duke avancuar në listën e avokatëve kryesisht, një metodë e përdorur edhe më herët nga gjykata e krimeve të rënda, por që dështoi . Gjyqi që zhvillohej dy herë në muaj dështonte dy herë në muaj, duke avancuar në listën e avokatëve që shteti I afron falas për të akuzuarit. Refuzuan gjykatën Arben Peçi, Adelajda Osmani, Afërdita Bushi, Afroviti Shehu, mes të cilëve pati nga ata që thanë se nuk kishin përgatitjen e duhur, apo që “djali im ka kryer akt ekspertimi”- sikurse u justifikua për mungesën e saj Adriana Bushati. Paralelisht të pandehurit dolën hapur edhe me kërkesa të tjera. Pas dorëheqjeve dhe kur trupa ishte formuar dhe përbëhej nga tre gra Saida Dollani, Nure Dreni dhe Albana Boksi, I akuzuari Blerim Shullazi deklaroi:

“Unë nuk bëj gjyq me ty, se ti më ke gjykuar njëherë” I thotë Blerim Shullazi gjyqtares Saida Dollani. Gjyqtarja në vazhdim nuk dorëhiqet . Procesi shtyhet dhe në seancat e tjera pas disa muajve dështim . Flet edhe I akuzuari Gilmando Dani I cili ngre tonet e zërit dhe kërkon gjykatës shpjegim nëse ishte kërcënuar apo jo gjyqtarja Dollani. Gjykata I kërkon qetësi dhe mos të fyejë autoritetin e gjykatës , por Dani nuk dorëzohet dhe kërkon një përgjigje për pyetjen “ a është e vërtetë që ju kanë kërcënuar bashkëshortin apo rojen apo çfarë e keni”.

Saida Dollani pas kalimit të Vetingut

Kur gjyqtarët këmbëngulin që gjykimi të vazhdojë, të akuzuarit ku sërish mungon Emiliano Shullazi revoltohen dhe braktisin sallën. Pas tyre edhe avokatët. Në muajt e verës pasi korrin fitoren me përjashtimin e gjyqtares Saida Dollani, Gilmando Dani vazhdon duke ju drejtuar Albana Boksit: “Për të mirën tuaj jepni dorëheqjen, për arsye se shumë gjyqtarë kanë dhënë dorëheqjen. Ke gjykuar Vollgën me Ylvi Beqjen”

Por gjyqtarja nga kqyrja e materialeve audio që ju vendosën në dispozicion gazetës “Si” jep vetëm këtë përgjigje të matur “Faleminderit për paralajmërimin. E kuptova”. Sidoqoftë ndërkohë grupi fiton largimin e gjyqtares tjetër Nure Dreni, por nga zëvendësimi me gjyqtarin e radhës Vrioni, procesi nuk zhvillohet sërish pasi edhe Nure  sëmuret pa ardhur ende gjyqtari Vrioni. Trupa në seancat e mëpasshme ngelet me vetëm dy gjyqtare femra Etleva Temo dhe Albana Boksi të cilat që nga 1  korriku deri në 9  shtator nuk ja dalin dot mbanë të çelin procesin. Në vjeshtë procesi nisi sërish me shtyrje , dhe përherë për avokatët u tha për avokatin kryesisht Bledar Shtanja që kujtoi se “ axha e gjyqtarit gjatë një çështjeje në Shkodër e kishte fyer” ndaj edhe dha dorëheqjen. Për procesin e radhës gjykata e zënë ngushtë dhe ndoshta e braktisur ose e pambrojtur thirri avokatin Ermal Dabulla. Natyrisht që ishte sërish një zgjedhje e dështuar, pasi topi sapo kishte kaluar në fushën e të akuzuarve. Gilmando Dani kërkoi dorëheqjen e gjyqtarëve. Ndërsa avokati I tij  që kthehet  disa muajve mungesë, hodhi hapur letrat , pasi sipas tij avokati kryesisht Dabulla është kushëri me Alban Dabullën, një personazh problematik I përmendur në dosjen Shullazi:  “  Kujtoj që shtetasi Alban Dabulla nuk ka nevojë të shikohet dosja  se dihet botërisht, është shtetas I përfshirë në konfliktin për marrjen e pronësisë mbi hotel Vollgën . Ai përmendet nga katër persona njëri ndër ta edhe nga ish kreu I ZRPP Ilirian Muho”

Policë me një qen anti minë për kontroll para fillimit të gjyqit ndaj Emiljano Shullazit

Pas zëvendësimit edhe të këtij avokati me një mbrojtëse, sigurisht që procesi u shty edhe sot deri në një moment kur as Këshilli I Lartë Gjyqësor nuk ofron më mbrojtje për gjyqtarët, pasi kuptohet fare qartë, që ky gjyq nuk po vuan për gjetje mbrojtësish, por diçka tjetër po luhet. Më e pakta të akuzuarit ,  po tentojnë ta mbajnë peng drejtësinë përsa kohë në 11 muaj proces, nuk është zhvilluar asnjë seancë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë