Drejtësia

Dosja e sterilizimit, për herë të parë GJKKO orienton SPAK të hetojë dhe ish-ministrat Beqja e Cani

Për herë të parë Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i kërkon prokurorisë të shtrijë hetimet edhe tek ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani në lidhje me koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Cani mbërriti të enjte në prokurori ndërsa vendimi për masat e arrestit tashmë të ekzekutuara është marrë që me datë 23 qershor.

Gjykata mësohet se i ka kërkuar SPAK që duhet të paraqitet edhe me 6 masa të tjera mes tyre edhe për ish ministrin Ilir Beqja, i cili firmosi koncesionin në vitin 2015. Por SPAK ende nuk ka kërkuar një diçka të

tillë. Pas vendimit prokuroria lëshoi urdhër-arrestet për ish-zv/ministrin e Shëndetësisë Klodjan Rrjepaj, si dhe biznesmenin Ilir Rrapaj fitues të tenderit, i akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda.

Zyrtarë të tjerë të përfshirë janë Marsela Seriani dhe Saimir Kadiu të cilët u lanë në arrest shtëpie për shpërdorim detyre. Kurse për shefin e kirurgjisë, rektor i universitetit të Mjekësisë Arben Gjata, Naile Abazi, Gent Burazeri dhe Pertref Mersini u vendos masa detyrim paraqitje.

Mësohet se gjykata ka urdhëruar shpalljen si të pavlefshme kontratën e koncensionit të sterilizimit sepse sipas saj është ndërmarrë në konflikt të hapur interesi përderisa biznesmeni Ilir Rrapaj ka njohje me ish-zv/ministrin e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe ish ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja.

Një vit më parë ish-ministri i Shëndetësisë dha deklarimet e tij në SPAK për 9 orë me radhë si person që ka dijeni, duke pohuar se qëndrimi i tij ishte për tenderin e sterilizimit.

Ndërkohë javët e fundit në dyert e strukturës së posaçme kundër krimit dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë ishte edhe ish-ministrja tjetër e Financave Anila Denaj.

Dosja e sterilizimit u kallëzua gjatë vitit 2019 nga Nisma Thurje dhe Partia Demokratike. Denoncuesit pretendonin se kontratat e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale firmosur mes ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe kompanisë koncensionare “Sani Service” po i shkaktonte shtetit dëm ekonomik. Një auditim i KLSH nxori se pajisjet me vlerë gati 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë