Gazeta Si – Gjykata e Posaçme, ka pezulluar për një vit gjykimin ndaj ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj për dosjen “Buka sha”.
Sipas burimeve, mësohet se gykimi për këtë dosje është pezulluar mbi bazën e Nenit 352 për shkak se nuk provohet marrja dijeni e Arben Ahmetajt dhe nuk mund të bëhet në mungesë, pasi avokatët e tij nuk kanë tagër në këtë proces.
Seanca paraprake për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj është shtyrë dy herë.
Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj akuzohet për këtë çështje për shpërdorim detyre dhe për dëm ekonomik 7 miliardë lekë ndaj familjes Myderizi, e cila ishte pronare e 50% të aksioneve në ndërmarrjen “Buka sha”.
Në praktikën e privatizimit të ndërmarrjes në të cilën edhe shteti ishte aksioner, rezulton se është gjetur shkelje mbi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila detyronte shtetin të pranonte si çmim shitje atë të vlerës së tregut dhe jo vlerën e vitit 1994.
Për këtë çështje, Arben Ahmetaj ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se nuk ka kryer shkelje ligjore duke shtuar se asokohe Ministria e Ekonomisë pas vlerësimit i rriti përqindjen e aksioneve në këtë shoqëri familjes në fjalë e po ashtu ruajti aksionet shtetërore.
Sipas Ahmetajt, procedura e privatizimit të kësaj ndërrmarrjeje në fakt nis para 20 vitesh (në 2004-ën), por në 2014-ën kur ai ishte në krye të Ministrisë së Financave u bë përcaktimi i vlerës së paketës së aksioneve shtetërore në këtë shoqëri e po ashtu u përqindja që u takonte ish-pronarëve (familja Myderizi).
Arben Ahmetaj është i akuzuar nga SPAK edhe për çështjen e inceneratorëve, hetim nga i cili është i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.