Gazeta Si – Seanca gjyqësore për deputetin demokrat Ervin Salianji është shtyrë sërish këtë të mërkurë, i akuzuar për çështjen “Babalja”.
Gjykata e Apelit vendosi ta shtyjë seancën për në datë 8 maj 2024 ora 10.00. Arsyeja për një vendim të tillë është bërë mungesa e avokatit të Salianjit, i cili kërkoi shtyrje të seancës për arsye shëndetësore.
Përmes një shkrese të depozituar në gjykatë, avokati i Salianjit, Ledio Braho, ka justifikuar mungesën me arsye shëndetësore, ndërsa në sallë mungonte edhe vetë klienti i tij.
Avokati i Geron Xhafës (vëllai i deputetit socialist Fatmir Xhafaj), Ardian Visha, u shpreh: “Për ne është e qëllimtë, kërkojmë të caktohet një avokat kryesisht që të mos ketë zvarritje të procesit”.
Më herët, Salianji është shprehur se ai ka prova shkencore, se denoncimi është 100% i vërtetë dhe sesi institucionet kanë shmangur hetimet për Geron Xhafajn dhe vëllain e tij, ish-ministrin Fatmir Xhafaj, të cilëve nuk iu janë sekuestruar pasuritë.
Në Apel, deputeti Salianji kundërshton dënimin me 1 vit burg dhënë nga Gjykata e Tiranës në dhjetor të vitit 2019, pasi u shpall fajtor për akuzën e “kallëzimit të rremë”.
Ndonëse u dënua me burg, ai nuk shkoi në qeli, pasi u hetua dhe gjykua pa masë sigurie. Vendimi i Shkallës së Parë për 100 orë punë në interes të publikut, është ankimuar edhe nga i bashkëpandehuri në këtë çështje, gazetari Jetmir Olldashi.
Sipas Gjykatës së Tiranës, deputeti demokrat Salianji dhe gazetari kanë inskenuar një audio-përgjim dhe akuza të rreme penale ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, si i lidhur me trafikantë droge.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.