Gazeta Si – Arratisja e Avni Mecjes nuk zgjati shumë pas vrasjes së bashkëjetueses së tij 35-vjeçare, Alexandra Elena Mocanu, banakierja e gjetur e vdekur të dielën në banesën e saj në Viale Trieste në Bolzano.
Shqiptari 42-vjeçar u paraqit para karabinierëve, pasi ishte shpallur në kërkim si i dyshuari kryesor i ngjarjes.
Sipas fqinjëve të çiftit, të cilët kanë folur për policinë italiane, shqiptari dhe gruaja e tij rumune ziheshin shpesh. Dhe të bërtiturat e fundit që ata kanë dëgjuar kanë qenë pikërisht ditën e shtunë.
“Dëgjuam të bërtitura të tyre si shumë herë të tjera, rreth orës 21:30. Pastaj rreth 1 orë më vonë dëgjuam zhurma të sirtarëve që hapeshin dhe mbylleshin me forcë dhe me nxitim. Më pas nuk dëgjuam asgjë më shumë, heshtje absolute, deri të dielën kur u zbulua trupi”, thonë fqinjët.
Pikërisht kjo është edhe koha kur policia italiane mendon se Avni Meçja ka vrarë gruan e tij.
“Dëgjonim sherre mes tyre, dukej qartë se nuk shkonin shumë, por asgjë më shumë se kaq. Për çfarë po debatonin? E dëgjonim shpesh të ankohej se duhej t’i bënte të gjitha punët e shtëpisë vetëm dhe duke akuzuar partnerin se nuk e ndihmonte”, – vijojnë fqinjët sipas mediave italiane.
Disa fqinj shpjegojnë se megjithatë nuk kishin perceptimin konkret të një rreziku të afërt të dhunës fizike mes dy bashkëjetuesve.
Dyshohet se 35-vjeçarja u qëllua me një send të fortë. Ndoshta kjo është edhe arsyeja përse dëgjohej zhurma e hapjes së sirtarëve nga banesa e çiftit, teksa shqiptari mund të ketë qenë duke kërkuar një objekt të fortë për të goditur gruan.
Pas ngjarjes, shqiptari mori makinën e gruas dhe u arratis. Ai kishte njoftuar vetëm vëllain e tij që jeton në Itali, por në një tjetër rajon, të cilit i thoshte se e kërkonin dhe duhej të largohej.
Por ky i fundit njoftoi policinë për të shkuar dhe për të parë çfarë ndodhte në banesën e çiftit. Autoritetet zbuluan aty trupin e pajetë të 35-vjeçares rumune, e mbështjellë me batanije. Burri i saj shqiptar, Avni Meçja u shpall në kërkim që atë moment si person i dyshuar. Por pas disa orësh, të hënën, ai u dorëzua vetë në polici.
Policët që zbuluan trupin e gruas të dielën pasdite kishin gërmuar më pas nëpër kosha mbeturinash, me sa duket duke kërkuar armën e krimit që nuk është gjetur ende.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.