Ngjarje

Donacionet për tërmetin, kush nga të pasurit s’e ka mbajtur ende premtimin?

Për të plotësuar kërkesën e organizatave bamirëse, donatorëve dhe të shoqërisë civile për transparencë, Ministria e Financave bëri publike shumat e parave të mbledhura deri më tani përmes tre rrugëve që ofron Qeveria.

Dhurimet financiare bëhen drejtpërdrejtë përmes llogarisë së Qeverisë shqiptare në Bankën e Shqipërisë, përmes llogarive të Qeverisë në bankat e nivelit të dytë dhe drejtpërdrejtë online përmes e-Albanias.

Shuma totale e grumbulluar nga Qeveria përmes këtyre tre kanaleve shkon në rreth 133 mln lekë, 2.8 mln euro dhe 310 mijë dollarë. Nëse do t’u rrumbullakosnim shifrat dhe t’i konvertojmë në të njëjtën valutë, në këtë rast euro, shuma do të ishte diku tek 4.2 mln euro.

Shifra duket e konsiderueshme, por ka një mospërputhje të konsiderueshme me totalin e shifrave që kanë deklaruar publikisht se do të dhurojnë për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve nga tërmeti disa biznesmenë dhe institucione shqiptare, brenda dhe jashtë kufirit të Shqipërisë.

Le t’i marrim me radhë. Shefqet Kastrati, themelues i kompanisë “Kastrati Group” ka njoftuar dhurimin e 1.5 mln eurove. “Balfin Group” i Samir Manes ka premtuar 1.2 mln euro, kompania Salillari tha se do të japë 1 mln euro, po 1 mln euro premtoi edhe “Bankers Petroleum” dhe koncesionari i aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”. 1 mln euro premtoi edhe kompania “Gener 2” e Bashkim Ulajt, përveç ndërtimit të 20 apartamenteve në Thumanë. Biznesmeni dhe politikani nga Kosova, Behgjet Pacolli ishte ndër të parët që premtoi 1 mln euro, 500 mijë euro Qeveria e Kosovës, 200 mijë euro kompania EHW dhe 100 mijë euro Vatikani.

Kjo është lista e dhuruesve kryesorë, ku nuk përfshihen biznese që kanë premtuar donacione, ndonëse jo në të tilla shifra. Por, edhe pa i përfshirë këto biznese, shifra e dhurimeve të biznesmenëve është më e lartë se ajo çfarë deklaron Ministria e Financave deri më tani. Nëse shumat e mësipërme mblidhen, atëherë bëhet fjalë për rreth 8 mln euro në total, pra dyfishi i shumës që është derdhur nëpër llogaritë e Qeverisë shqiptare.

Kjo mospërputhje e shifrave mund të shpjegohet përmes dy rrugëve. E para, që një pjesë e biznesmenëve të mëdhenj nuk i kanë derdhur ende paratë e premtuara edhe për arsye kohore, pasi duke qenë se bëhet fjalë për shifra të mëdha. Rruga e dytë është që këta dhurues të mëdhenj mund t’i kenë derdhur paratë e premtuara në ndonjë shoqatë a fondacion bamirës, që në vetvete do të ngrinte pyetjen: pse, as këta nuk kanë besim tek Qeveria?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë