Ngjarje

Donacione, grante e kredi, premtohen 1.15 mld euro për rindërtimin

Shuma e siguruar në përfundim të Konferencës së Donatorëve në Bruksel tejkaloi edhe pritshmëritë më optimiste të Kryeministrit Edi Rama dhe anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar. Mes donacione, granteve dhe kredive të buta, shuma totale që vendet pjesëmarrëse dhanë për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar shkoi në 1.15 miliard euro.

Nga kjo shifër, mbi 700 mln euro premtohen si kredi të buta në formën e projekteve të rindërtimit dhe zhvillimit, ndërsa pjesa tjetër, rreth 340 mln euro në formën e granteve, pra fonde pa normë interesi.

Shifra tejkalon ndjeshëm dëmet, që raporti i detajuar i Qeverisë dhe Bankës Botërore përllogariti në rreth 1 miliard euro. Në fjalën e falenderimit, Kryeministri Edi Rama nuk e fshehu faktin që ishte i surprizuar.

“Kjo është për një “uau”. Fakti që unë nuk kam me vetë një fjalim tregon shumë për pritshmëritë e mia. Kur po vinim këtu po spekullonim dhe po thonim që nëse arrijmë 40 për qind të shumës do të ktheheshim në shtëpi të kënaqur, por të arrinim 50 për qind të vlerës mund të ndjeheshim se kemi patur sukses. Por, kjo përtej imagjinatës më të shfrenuar”, tha Rama.

Vendet që kontribuan më shumë ishte Franca me 100 milionë euro, Italia me 65 milionë euro dhe Gjermania me 11 milionë, SHBA me 5 mln dollarë të konfirmuara nga i dërguari i Posacëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ndërsa nga fqinjët Serbia dha 2 milionë euro, po aq sa edhe Greqia e Kroacia 1 mln euro.

Ndihma franceze ndahet në dy pjesë. 60 milionë euro do të jepen për financimin e projekteve, kryesisht në rindërtimin e ujësjellësave të dëmtuar pas tërmetit dhe 40 milionë euro të tjera për dëme të tjera.

Ndërkohë, Turqia dhuroi shumën simbolike prej 100 mijë eurosh, duke qenë se vetë është e angazhuar në ndërtimin e 500 njësive të banimit në zonën e Laçit.

Nga institucionet, Banka Islamike ofroi 365 milionë euro financim për projekte zhvillimi, ndërsa Banka Botërore 160 milionë euro të tjerë. Suedia ofroi 5.6 milionë euro në formën e grantit, Norvegjia 2 milionë euro, Holanda 3 milionë euro dhe Britania e Madhe 1 milionë paund.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen reagoi përmes rrjeteve sociale.

“Lajm i mirë për shqiptarët. Ne e tejkaluam objektivin tonë për rindërtimin dhe arritëm në total 1.15 miliard euro, përfshirë 400 milionë eurot që janë kontribut i Bashkimit Europian. Jam e mahnitur nga mbështetja. Edhe njëherë tjetër, Europa qëndron e bashkuar atëherë kur duhet”, thotë ajo.

https://twitter.com/vonderleyen/status/1229457550279630849

Ndërkohë, në konferencën e përbashkët me Presidenten e Komisionit, Kryeministri Edi Rama tha se garancia që çdo qindarkë e fondeve të siguruara do të shpenzohet ashtu siç duhet është vetë Komisioni Europian dhe mbikëqyrja që ky Komision do t’i bëjë procesit të rindërtimit.

“Mundemi dhe do t’i menaxhojmë. Ne e dimë shumë mirë, që nëse do të gjesh njerëz shumë të vështirë kur shpenzon para i ke këtu në këtë ndërtesë dhe jemi të sigurtë që Ursula do të na japë më të mirët e tyre. Do të kalojmë çdo dhimbje për të shpenzuar ashtu siç duhet çdo qindarkë të taksapaguesve europianë dhe taksapaguesve shqiptarë”, deklaroi Rama.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/198611411521431/

Lajmin e mirë nga Brukseli e përshëndeti edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, që gjithashtu theksoi se tashmë sfida ëshë menaxhimi si duhet i këtyre parave dhe siguria që ato do të shkojnë për njeëzit në nevojë.

“Detyra jonë është të bëjmë gjithçka që këto kontribute të shërbejnë vërtet për ndihmë ndaj njerëzve në nevojë. Është e rëndësishme që të nisë menjëherë puna dhe fondet të përdoren me përgjegjshmëri dhe transparencë për të ndalur keqpërdorimin dhe abuzimin me to”, shkroi kreu i PD-së në Facebook.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/posts/2962112257173269

Pritshmëritë e Qeverisë shqiptare në konferencën e donatorëve të organizuar nga BE nuk ishin që të siguronte të gjithë shumë prej 1 mld euro sa ishte dëmi i vlerësuar, por që të arrihej një masë që vlerësohej kritike, ndaj të shtunën, Kryeministri Rama u shfaq i përmbajtur.

“Në raport me konferencën, kam një pritshmëri të caktuar, që nuk bëhet fjalë për të përmbushur të gjitha nevojat, por mbetemi në një nivel që sado modest të mund të ketë një peshë në proces. Nëse realizojmë këtë jemi të kënaqur, nëse shkojmë përtej kësaj do të jemi të lumtur”, deklaroi Rama.

Edhe Monika Kryemadhi i mëshoi transparencës dhe përdorimit me efektivitet sa më parë të fondeve të siguruara për t’u ardhur në ndihmë personave të prekur nga tërmeti.

“Tani është koha që kjo mbështetje t’u shkojë sa më parë, në radhë të parë familjeve që janë të pastreha. Miqve nga të gjitha anët e globit FALEMINDERIT që na u gjendët pranë. Çdo euro ndihmë është e çmuar dhe duhet të administrohet me transparencë dhe përgjegjësi të plotë”, shkroi ajo.

https://www.facebook.com/KryemadhiMonika/posts/2642671649178894

Niveli që kënaqte Qeverinë shqiptare shkonte nga 300 mln euro deri në 450 mln euro. Këto janë shifrat e cituara nga ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj që ishte pjesë e delegacionit shqiptar në këtë konferencë donatorësh. Ahmetaj tha se nëse shifra do të ishte më e ulët se 300 mln euro do të ketë vështirësi në rindërtim dhe tejzgjatje të procesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë