Lojëra me Dore

Dominik Thiem mbret në Nju Jork, gjunjëzon Zverev pas 5 setesh

Kampioni i 150-të Slam i historisë është austriaku Dominik Thiem, i cili mundi pas 5 setesh në Nju Jork gjermanin Aleksander Zverev, 2-6, 4-6, 6-3, 6-4, 7-6. Një ndeshje maratonë dhe një fitore me përmbysje e austriakut në “US Open”. Një fitore me shumë kurajë dhe me gjakftohtësi për Thiem, i cili triumfoi me një “tie break” vendimtar (hera e parë që ndodh në historinë e këtij turneu), me “match point”-in e tretë në dispozicion.

Ishte dukshme frika e të dy tenistëve. Zverev, i cili në momente të caktuara luajti tenisin e tij më të mirë, arriti të fitojë dy setet e para 2-6 dhe 4-6. Në këto dy sete Thiem ishte pak nervoz dhe i turbullt. Kthesa fillon në setin e tretë, edhe pse Zverev e nis mirë dhe sheh finishin t’i afrohet. Megjithatë, ndeshja ekuilibrohet papritur, gjermani bën dy gabime dhe Dominik shkurton në 2-1. Edhe seti i katërt është thuajse i barabartë, por fitohet nga Thiem, pasi Zverez e përplas topin në rrjetë.

Dominik Thiem gjatë ndeshjes. Gazeta Si, 14 shtator 2020

Në setin e pestë Thiem ka avantazhin e një “break”-u, por bën faull të dyfishtë. Në gejmin e 6-të shpëton për mrekulli me 4 pikë radhazi. Zverez ka mundësinë ta fitojë ndeshjen, por frika bën të vetën dhe ai gabon, duke i dhuruar dy topa kundërshtarit. Këmbët u dridhen të dyve dhe shkojnë në “match point”, pas barazimit 6-6. Kur gjuajtja e Zverev përfundon jashtë, Thiem shtrihet në tokë, është ai kampioni i 150-të Slam i historisë.

Dominik Thiem është austriaku i dytë që fiton një turne Slam, ipari ka qenë Thomas Muster, i cili ka fituar “Roland Garros” në vitin 1995. Është finalja e parë në historinë e “US Open”, që fitohet nga një tenist, i cili ka humbur dy setet e para.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë