As Pjerin Ndreu, aktualisht kandidat i Partisë Socialiste për Bashkinë e Lezhës nuk e mohoi vërtetësinë e bisedës telefonike të zhvilluar me Drini Gjeçin, drejtorin e Zyrës Arsimore të Dibrës, për t’i kërkuar në formë urdhri ushtrimin e presionit ndaj një drejtori shkolle për dhënien e votës.
Përmes rrjeteve sociale, Ndreu, ashtu si Kryeministri Edi Rama pak ditë më parë, përgjimet i cilëson si indicie dhe jo prova. Megjithatë, ai këmbëngul se nuk ka asgjë të paligjshme në bisedën e tij, pavarësisht se kërkonte që drejtori i shkollës së Reçit të votonte haptazi për Partinë Socialiste, megjithëse fshehtësia e votës është një prej parimet thelbësore të një procesi elektoral.
“Meqë është përmend emri im, jam i detyruar t’u them se komunikimi im s’ka të bëjë me shit-blerje, por me votat e një socialisti, i cili normalisht duhet të votojë partinë e vet. Është komunikim normal me strukturat tona. As nuk është i PD, as i LSI që të quhet presion. Nëse nuk lejohet t’u kërkohet vota nga ne socialistëve, atëherë është tjetër gjë”, thotë ai.
Në kohën e kësaj telefonate, Ndreu mbante postin e deputetit dhe të anëtarit të Komisionit të Sigurisë në Kuvend. Ai thotë se përgjimi i nisur si shit-blerje votash rezultoi një telefonatë normale mes socialistëve, pavarësisht se në bisedë Ndreu dëgjohet të kërkojë votën me tone të forta në drejtim të drejtorit, përndryshe “të gjejë vend e të futet”.
“Përgjimi është një flluskë sapuni se u nis si shit-blerje dhe u katandis në telefonata pune normale me socialistët. Drejtorit të shkollës i lejohet ligjërisht të jetë pjesë e strukturave politike për ata që nuk e dinë këtë gjë dhe të votojë partinë ku aderon”, shkruan Ndreu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.