Mode

Dolce & Gabbana nuk do të përdorë më gëzof kafshësh

Grupi italian i luksit Dolce&Gabbana do të ndalojë përdorimin e gëzofit në të gjitha koleksionet e tij nga ky vit, tha marka të hënën në një deklaratë të përbashkët me shoqatën për të drejtat e kafshëve Humane Society International.

“I gjithë sistemi i modës ka një rol të rëndësishëm të përgjegjësisë sociale që duhet promovuar dhe inkurajuar”, tha Fedele Usai, drejtori i komunikimit dhe marketingut.

Marka do të fillojë të përdorë veshje dhe aksesorë me gëzof eko, ndërkohë që do të vazhdojë të bashkëpunojë me mjeshtrit e gëzofit për të ruajtur vendet e punës.

Në një shtysë për të tërhequr klientët më të rinj, gjithnjë e më të ndjeshëm ndaj çështjeve etike dhe mjedisore, shumë marka tashmë janë zotuar të ndalojnë përdorimin e gëzofit të kafshëve duke përfshirë Armani, Kering, Prada, Valentino, Versace, Moncler dhe platformën luksoze të tregtisë elektronike Yoox Net-a-Porter.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë