Gazeta Si - Pak para se të dënohej me 3.4 vjet burg për shpërdorim detyre, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka deklaruar se nuk ka qenë i korruptuar.
Këtë, ai e ka thënë në një intervistë për gazetarin italian Nello Trocchia, i cili ka realizuar një dokumentar për trafikantët shqiptarë dhe lidhjet e tyre me politikën.
Në trajlerin e dokumentarit "I Narcos albanesi", i cili transmetohet këtë të shtunë, ish-ministri ka deklaruar se nuk është i korruptuar.
LEXO EDHE:
- Ekskluzive/ Dosja e Prokurorisë. Diamantet, makina dhe skafi që lidhin Saimir Tahirin me Habilajt
- Mafia shqiptare po largon Ndranghetën nga Amerika e Jugut
- Mafia shqiptare: Një histori hakmarrjeje dhe varfërie
Ai ka thënë se nuk ka lidhje me trafikun e drogës, pasi në të kundër nuk do të shkonte në Itali në kohën kur ishte ministër dhe të kërkonte nga Guardia di Finanza të dyfishonte monitorimet.
“Nëse do të isha i korruptuar, unë nuk do të vija në Itali për të kërkuar nga Guardia di Finanza të dyfishojë monitorimin e territorit. I kërkova të gjitha vendeve europiane të na ndihmojnë të luftojmë trafikun e drogës”, tha Tahiri pak ditë para arrestimit.
Tahiri, pak ditë pas intervistës, përfundon në burg pasi dënohet për shpërdorim detyre me 3 vite e 4 muaj, i akuzuar për lidhje me një grup kriminal të dedikuar për trafikimin e marijuanës drejt Italisë.
“Më vunë bombat dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri, marijuana nuk është histori kriminelësh, por varfërie”, thotë Tahiri në dokumentarin e e Carmen Vogani, Lorenzo Giroffi (regjisor) dhe Marco Carta.
Ish-ministri i qeverisë së kryeministrit socialist Edi Rama, në detyrë deri në mars 2017, ishte përfshirë në hetimet e kryera në Itali, të cilat çuan në tetor të po këtij viti, në çmontimin e një organizate kriminale të përbërë nga italianë dhe shqiptarë të angazhuar në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve.
Tahiri dyshohet se kishte lidhje me dy anëtarë të organizatës, vëllezërit Moisi dhe Florian Habilaj, i pari i arrestuar në Itali. Habilajt janë të afërm të ish-ministrit, emri i të cilit ka dalë disa herë në përgjimet e kryera nga hetuesit italianë.
Në maj 2018, Tahiri dha dorëheqjen si deputet, duke përfunduar menjëherë në arrest shtëpie, për t’u hetuar në liri. Avokati i tij Maks Haxhia e quajti skandaloz dënimin duke njoftuar ankim.
Mafia shqiptare
Ish-ministri, tashmë në burg, tregon për pagat që trafikantët e drogës u garantojnë kultivuesve, 5 mijë euro në vit vetëm për të rritur marijuanën në fushat e shndërruara në plantacione, para që në Shqipëri përfaqësojnë një shumë të madhe.
Kështu trafikantët arritën të rrisin prodhimin dhe të bëhen në këtë sektor ndër eksportuesit e parë në arenën kriminale ndërkombëtare.
Mafia shqiptare e nisi ngritjen e saj të pandalshme në vitet ‘90 me sulme ndaj sendeve me vlerë, vjedhje në apartamente, grabitje në vilë derisa u bë trafikant i qenieve njerëzore dhe menaxhoi biznesin e madh të prostitucionit.
Njëra prej viktimave flet në dokumentar dhe tregon dhunën, abuzimin, vrasjen e familjarëve për shkak të guximit të denoncimit.
Që nga vitet nëntëdhjetë, mafia e Foggia-s ka bashkëpunuar me atë shqiptare dhe përdor tarifat e përballueshme që ofrohen për transportin e drogës, por edhe për të vrarë rivalët.
“Nëse bën një punë normale duke punuar shumë, mund të fitosh deri në 300 euro në muaj, por duke qenë kriminel mund të fitosh të njëjtën shumë në një minutë. Ja pse shumë të rinj tërhiqen nga kjo jetë, gjithmonë paraja dhe pushteti”, thotë një ish-trafikant droge.
Trafikantët shqiptarë të drogës janë të armatosur deri në dhëmbë dhe të pamëshirshëm me këdo që përpiqet t’i ndalojë, prej vitesh janë konsideruar si kriminelë të dorës së dytë, por përmes lidhjes së përkatësisë dhe besnikërisë, kanë arritur të rekrutojnë një ushtri besnikësh.
Ata merren me menaxhimin, ruajtjen dhe kontrollin e porteve në të gjithë Evropën ku kalon “ari i shekullit”: kokaina.
Mafia shqiptare ka çifligun në Shqipëri, qendrën e pushtetit, por tashmë ka sjellë luftën për drogën edhe në Ekuador.
Trafikantët shqiptarë të drogës bëjnë biznes në Evropë, pothuajse kanë monopolin e trafikut të marijuanës, janë ngjitur në piramidën kriminale me prita dhe duke mbjellë terror.
Përgjimet e bosëve
'I narcos albanesi' është i pari nga katër dokumentarët e 'Lidhja Mafia', seriali i prodhuar nga Videa Next Station, të cilin Nove do ta transmetojë çdo të shtunë në mbrëmje, një projekt i lindur nga një ide e Trocchia-s dhe Voganit.
Përgjimet ekskluzive mes bosëve shqiptarë dhe të Barit, krahas marrjes në pyetje origjinale të të penduarit të parë, do të transmetohen edhe dëshmitë e papublikuara të operatorëve të portit, familjeve të viktimave dhe trafikantëve të drogës.
Rrëfimi i atyre episodeve, i shërben në mënyrë sporadike propagandës që e cilëson të huajin si të shëmtuar, të pistë dhe të keq.
Krimi shqiptar ka evoluar ndër vite, duke u ulur në tavolinë me mafiozët italianë. Fillimisht, klanet shqiptare vepruan si punëtorë për tregti të mëdha dhe më pas u krijuan si një realitet i aftë për të krijuar lidhje ndërkontinentale.
Nisi me prostitucionin
Pika e nisjes për klanet shqiptare ishte trafikimi i vajzave të reja, skllave në tregun e seksit.
Dokumentari "The Albanian Narcos", i prodhuar nga Videa Next Station, i transmetuar të shtunën e 24 shtatorit, në kohën kryesore në Nove, do të nisë kronologjinë e tij kriminale nga zëri i një gruaje që fillimisht ishte viktimë dhe më pas rebele e një krimineli të egër të sisstemit.
Të rejat, nga anët më të ndryshme të Shqipërisë, u shitën, falë korrupsionit të agjentëve kufitarë dhe marrëveshjes në Itali.
Trafikimi dhe shfrytëzimi i prostitucionit në të gjithë territorin italian u shërbeu klaneve shqiptare për t'i treguar botës së krimit italian se sa të besueshëm, të dhunshëm dhe të pakompromis mund të ishin me tradhtarët.
Njohja e detit dhe e kufijve ishte atëherë hapi i dytë. Vijoi me marihuanën, ajo që përdorej në sheshet e tregtisë italiane.
Trafikantët shqiptarë në atdheun e tyre ricikluan dhe sillnin barërat e këqija në Itali me tonelata.
Grabitjet e viteve nëntëdhjetë nuk i interesonin më klanit shqiptar, të cilët u bënë të njohur si klane të strukturuara, jo nga lart-poshtë, por horizontalisht, falë një rrjeti të dendur filialesh.
Të penduar dhe hakmarrje
Arratisjet nga burgjet evropiane të shefave të tyre të mëdhenj bëhen një lajm emocionues, që ushqejnë epopenë që i duhet çdo krimi.
Shfaqja e parave në Londër, Milano, Roterdam është pranvera për shumë të rinj të gatshëm për t'u regjistruar.
Diaspora kriminale shqiptare, e cila depërton te shqiptarët e shumtë që kërkojnë vetëm pasuri dhe jetë dinjitoze në Evropë, është e shumtë në mbarë botën dhe askush nuk tradhton.
Në “Narcos Albanesi” ka mundësi të dëgjohet dëshmia e të penduarit të parë për sëmundjen e shqiptarëve.
Ka edhe shumë viktima, të joshur për punë që rezultojnë gri, në sheshe të dhunshme të trafikut të drogës.
Në Shqipëri familjet mbeten në zi, për shkak të rregullave të pashpjegueshme të larjes se hesapeve, siç është historia që tregon dokumentari duke filluar nga një familje në një cep të largët të Shqipërisë, e cila përfundon pas një porosie hakmarjeje nga Mantova.
Ngjitja deri në Ekuador
Bosët shqiptarë dinë të bëjnë shumë mirë me paratë e kontrabandës. Ata gjithashtu dinë të rishpikin veten, përsëri, me kokainë këtë herë, në anën tjetër të botës.
Dija e tyre kriminale mbetet deti dhe aftësia për të depërtuar në portet për trafikim. Holanda, Greqia, Italia dhe Ekuadori.
Në Amerikën Latine është faza e fundit, pikërisht në Ekuador në zonën e Guajakilit, ku lufta mes trafikantëve të drogës ka shifra mbresëlënëse.
Pushtimi i portit të Guayaquil është thelbësor për kokainën më të pastër që vjen nga Kolumbia. Shqiptarët e pushtojnë atë zonë nën zhurmën e masakrave dhe korrupsionit nëpër burgje.
“Narcos Albanesi” mbërrin në Ekuador, për të bashkuar të gjitha fytyrat e kësaj ngjitjeje të pabesueshme kriminale.
Përshtati në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.