Ngjarje

“Do vras Beharin, ty dhe fëmijët”. Burri i dhunshëm mbetet në burg

Gjykata e Tiranës vendosi arrest me burg për një 53-vjeçar që tentoi të vrasë gruan, fëmijët dhe konshiun. Osman Memaj doli para gjykatës për dhunë në familje dhe amëmbajtje, pasi për shkak të një sherri me bashkëshorten, kërcënoi familjen me armë zjarri, ku veç gruas, të rrezikuar për jetën ishin dhe fëmijët, por edhe fqinji. Memaj u prangos një ditë më parë nga policia e Tiranës, pas një telefonate nga i biri i tij A.Memaj. Në dosje thuhet se burri i dhunshëm fillimisht ia ka drejtuar pistoletën bashkëshortes dhe më pas tre fëmijëve. I ka kërcënuar se do t’i vrasë dhe pas këtij momenti - shpjegon policia për Gazetën “Si” - fëmijët dhe gruaja janë shpërndarë nga frika. Ai i ka ndjekur, por nuk ka mundur t’i kapë. Osman Memaj ka thirrur me zë të lartë “do vras Beharin (komshiun) dhe do kthehem do vras ty moj grua dhe djalin e madh”. Burri mësohet të ketë dalë në fshat, në Gurrë të Vogël me pistoletë në dorë në kërkim të Beharit dhe më pas është kthyer në banesë, ku sapo ka mbërritur djali i madh, ka njoftuar policinë e Farkës, tha për Gazetën “Si” zyrtari i policisë.
Kontrolli në shtëpi
Menjëherë sapo ka bujtur në shtëpinë e çiftit nga Kukësi, policia ka gjetur jo vetëm pistoletën, por edhe një pushkë dhe 30 fishekë, tre kallëpe tritol dhe dy thika artizanale. Pas këtij momenti mësohet që edhe gruaja e 53-vjeçarit ta ketë thyer heshtjen. Gazeta “Si” mëson se Shpresa që ka rrefyer dhunën e vazhdueshme, më e fundit në datë 15 shkurt ku ajo është goditur me grushta në kokë dhe fytyrë. Të njëjtin veprim Osman Memaj e ka kryer edhe ndaj fëmijëve që janë pyetur nga psikologët
Policia e pyeti gruan se përse ka duruar gjithë këto vite dhe nuk ka bërë kallëzim?
Shpresa: "Sepse kisha frikë se më vriste mua dhe fëmijët. Herën e fundit ai drejonte pistoletën herë nga unë dhe herë nga djali i madh Altini. Fëmijët e tjerë u mbyllën në dhomë nga frika. Më pas ai doli të gjente Beharin që është komshiu ynë, për të cilin ai aludon dhe dyshon. U kthye në shtëpi rreth orës 22.00, ne mbyllëm derën nga frika dhe ai kërcënonte që ta hapnim duke bërtitur: sapo ta hapni do ju vras të gjithëve".
Policia thotë në materialin që Gazeta “Si” disponon ekskluzivisht, se mëngjesin e datës 15, familja e ka hapur derën dhe kanë vrapuar jashtë, por ai ka ndjekur nëpër ara dhe sërisht ka thënë “do dal të vras Beharin”. I pari që është bindur se situata sa vinte e rëndohej ka qenë i biri në moshë të madhe, ai ka telefonuar policinë dhe në këtë mënyrë i ka shpëtuar të gjithë, përfshi edhe Beharin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë