Ngjarje

“Do të shkojmë, por s’di se si do të kthehemi”. Cilët janë ‘heronjtë’ e rinj të Covid-19 në Shqipëri?

“Po pse të mos shkoj të takoj shokët edhe unë, o mam”. Këto ishin fjalët e para që dëgjova në mëngjes nga një fëmijë 8 vjeçar duke pritur autobuzin herët. Djaloshi dukej që ishte i entuziazmuar se do të fillonte shkolla, por mamaja e tij kishte vendosur që të mos e dërgonte sot në shkollë.
E ëma dukej e vendosur se djali do të rrinte edhe ca ditë në shtëpi pasi nuk ishte e sigurtë për hapjen e shkollave.
“Po nuk kam ku ta dërgoj sot, unë e di që atje do bëhen grumbull. Virusi është vërdall, po vdesin njerëz,” i tha gazetës “Si” Miranda nëna e djalit 8 vjeçar e shqetësuar.
Djali i vogël e kundërshtonte duke i thënë, “hë e shikon të gjithë shkojnë në shkollë”. Kur e pyeta Mirandën se pse nuk donte që djali të shkonte në shkollë, më tha se ishte tepër e merakosur.
“Nuk jam e sigurt, deri dje shkolla e Arsit( djalit) nuk ka pasur as ujë nëpër banja. E di shumë mirë që nuk kanë rregulluar asgjë se i kam parë vetë me sytë e mi. S'kam si ta çoj në shkollë, jo vetëm për atë, po edhe për të gjithë ne. Unë takohem çdo ditë me prindërit e mi, e kam të domosdoshme, ata janë të moshuar, ku i dihet se çfarë bëhet aman,” thotë tepër e shqëtësuar Miranda.
Por si Miranda ka edhe shumë prindër të tjerë. Pranë shkollës “Kongresi i Manastirit” janë mbledhur shumë prindër të cilët mbajnë në duart dezifektantët dhe maskat, një aksesor më shumë për fëmijët në ditën e parë të shkollës.

Të gjithë fëmijët janë rreshtuar dhe mësueset përpiqen të mbajnë rregullin për hyrjen në shkollë ndërsa edhe ato janë të pajisura me maska. Në oborrin e kësaj shkollë kishte edhe gjyshër që prisnin me ankth që të vegjlit e tyre të hynin brenda. Përgjatë rrugës shikoje shumë fëmijë me lule në duar për ditën e parë të shkollës. Ata janë të emocionuar dhe për një moment ajo pamje të jep idenë se kjo ditë është normale, se ky vit është po i njëjtë me të tjerët.
Sot nisën shkollën rreth 480 mijë nxënës, që prej ditësh janë të porositur për kujdesin e distancës sociale, për mbajtjen e maskës dhe kujdesin e higjienës. Fëmijët sot janë ndryshe pavarësisht se shkojnë në shkollë të njëjtë.
Nxënësit qëndrojnë në rresht në shkollën “Sabaudin Gabrani”, e cila është rikonstrukturuar pasi u dëmtua nga tërmeti. Dera e shkollës qëndron e mbyllur dhe prindërit mund t’i shohin fëmijët në rrjesht jashtë portës.
“Keq kur i kishim në shtëpi e keq kur i sollëm. Po cfarë të bënim, nga telefoni dhe kompjutëri nuk po mësonin gjë hiç” thotë Elizabeta një nënë e cila ka vajzën e saj në këtë shkollë.

“U mata njëherë të mos e sillja, por shyqyr që ka mësuesen e mirë, e besoj se do kujdeset. Shikoj që të gjitha masat i kanë marrë, ashtu siç na kanë thënë. Do mësohemi dhe me orarin që na kanë thënë u pa puna,” shtoi ajo, e më pas u afrua pak më shumë drejt kangjellave të shkollës, për të parë vajzën e saj.

Por duket se jo të gjitha shkollat janë të pergatitura. Në shkollën 9 vjeçare “Gustav Mayer, prindërit dhe fëmijët ishin mbledhur grumbull me njëri-tjetrin dhe siç është zakon në këto raste  filluan edhe të shtyeshin me njëri tjetrin, në mënyrë që të arrinin më pranë kangjellave të shkollës.  Këtë fenomen  ku Gazeta “Si” ishte prezente, e prezantoi edhe  ish deputetja Albana Vokshi  në rrjetin social “Facebook”.
Autoritetet kanë siguruar qëndrimin në shkollë të fëmijëve dhe mësuesve, të cilët janë po aq të rrezikuar nga Covid-19. Një mësues, i cili ushton profesionin në një nga shkollat pranë rrugës së Durrësit ( i cili nuk pranon te identifikohet tregoi se edhe ai ishte i shqetësuar se si do të vinin nxënësit në shkollë dhe se përveç maskës dhe dezifektantit asgjë tjetër nuk kishin të sigurt.


“Mësimi do të jetë i vështirë me maska dhe rregullat e reja, nxënësit do të jenë më të vështirë për t’u menazhuar dhe nuk jam i sigurt se si do shkojë kjo situar,” tha ai duke ngritur supet.
Në harkun e orëve të mëngjesit, ku kjo ditë e shtatorit dukej sikur ishte krejtësisht normale dhe pa “ndonjë armik të padukshëm” përreth, shifrat e përsonave të prekur vazhdojnë të rriten. Dje u shtuan edhe 168 persona të tjerë me Covid-19.
Më herët Gazeta “Si” ka kërkuar informacion pranë autoritetetve nëse fëmijët dhe mësuesit do të ishin vaksinuar përpara se të niste ky vit shkollor, por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje, ndërkohë asgjë nuk është e sigurt.
“Do shkojmë në mëngjes, por nuk e dimë se si do vimë në shtëpi,” thotë mësuesi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë