Ngjarje

Do të ndryshojnë shefat jetëgjatë në QSUT, kriteret e përzgjedhjes së drejtuesve të rinj

Shefat e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të ndërrohen.

Udhëzuesi me kriteret e reja për kandidatët që duan të marrin në dorë drejtimin e shërbimeve shëndetësore në qendrën më të madhe spitalore në vend është miratuar nga Këshilli i Ministrave.

Minimumi që duhet të plotësojë një kandidat që të marrë pjesë në garë, duhet të jetë doktor shkencash. Po kështu, kriter tjetër i ri është që, kandidati për shef shërbimi duhet të ketë qenë jo më pak se 8 vite pedagog pa ndërprerje në fushën ku konkurron.

Në shtator u përfundon kontrata shefave aktualë, të cilët do t’i lënë vendin shefave të rinj dhe këtë javë pritet të hapet gara përkandidatët e rinj përmes konkursit.

Në udhëzimin e ri janë përcaktuar dhe pikët e vlerësimit. Nëse kandidati ka vetëm gradën doktor shkencash vlerësohet me 5 pikë, profesor i asociiuar me 10 pikë, nëse ka titullin profesor ka 15 pikë.

Ndërsa projekti i tij dhe vizioni për të drejtuar një shërbim për 4 vite vlerësohet me 53 pikë dhe po kështu komisioni do të vlerësojë aftësinë profesionale dhe organizative në strukturat shëndetësore me 14 pikë. Të gjithë kandidatët konkurrues do të vlerësohen nga një komision i posaçëm, madje, kandidati fitues do të lidhë kontratë si me drejtuesin e institucionit të arsimit të lartë, në këtë rast me rektorin e Universitetit të Mjekësisë, ashtu edhe me drejtuesin e strukturës shëndetësore, pjesë e së cilës është shërbimi që ai do të drejtojë.

Për shkak të moshës së pensionit disa nga shefat që kanë drejtuar për 4 vjet shërbime të rëndësishme si kardioologjia, nefrologjia apo sëmundjet interne nuk do të mund të marrin pjesë në garë, duke ua lënë vendin kandidatëve të rinj.

Shërbimet më të rëndësishme në QSUT dhe shefat aktualë

-Shërbimi i Kirurgjisë Digjestive Prof. Arben Gjata

-Shërbimi i kardiologjisë Prof. Artan Goda MD FESC

-Shërbimi i hematologjisë Prof. Arben Ivanaj

-Shërbimi i gastrohepatologjisë Prof.Ass. Adriana Babameto

-Shërbimi i endrokrinologjisë Prof. Agron Ylli

-Shërbimi i nefrologjisë dhe hemodializës Prof. Myftar Barbullushi

-Shërbimi i mjekësisë interne Prof. Mihal Tase

-Shërbimi i dermatologjisë Prof. Ermira Vasili

-Shërbimi i alergologjisë Prof. Etleva Qirko (Loloci)

-Shërbimi i sëmundjeve infektive D.Sh.M. Najada Çomo (Xhyherri)

-Shërbimi i urgjencave polivalente D.SH.M Eqerem Hasani

-Shërbimi i toksikologjisë klinike Dr. Andrin Tahiri

-Shërbimi i kirurgjisë së përgjithshme Prof. Etmont Çeliku

-Shërbimi i kirurgjisë vaskulare Prof. Asc. Sokol Xhepa

-Shërbimi i okulistikës Prof. Ass. Vilma Mema (Lleshi)

-Shërbimi i kirurgjisë infantile pediatrike Ass. Prof. Dritan Alushani

-Shërbimi i pediatrisë infektive Prof. Dr. Gjeorgjina Kuli-Lito


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë