Nga Gazeta ‘Si’- Lindja e Mesme do të jetë një ferr i vërtetë, nëse brenda 20 Janarit, Hamasi nuk kthen të gjithë pengjet.
Është ky kërcënimi i drejtpërdrejt që ka bërë Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili do të marrë detyrën më 20 Janar të vitit 2025.
“Nëse pengjet nuk lirohen përpara 20 janarit 2025, datë kur unë marr me krenari detyrën si President i Shteteve të Bashkuara, do të jetë gjithë ferri për të paguar në Lindjen e Mesme dhe për ata që janë përgjegjës që i kanë kryer këto mizori kundër njerëzimit”, shkroi Trump.
Më tej ai shtoi se, “Ata që janë përgjegjës do të goditen më fort se kushdo është goditur në historinë e gjatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Reagimi i Donald Trump vjen pak minuta pas konfirmimit nga Hamas për vrasjen e 33 pengjeve izraelite në 14 muaj lufte midis grupit militant palestinez dhe Izraelit në enklavë, pa dhënë kombësitë e tyre.
Hamasi shtoi se pengje të tjerë ishin zhdukur. “Me vazhdimin e luftës suaj të çmendur”, tha Hamasi në një deklaratë drejtuar Izraelit, “ju mund të humbni pengjet tuaja përgjithmonë. Bëni atë që duhet të bëni para se të jetë tepër vonë”.
Hamasi pak më vonë publikoi një video ku thuhej se jepte të dhënat se kur dhe si ishin vrarë pengjet, duke fajësuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për fatin e tyre.
Ushtria izraelite nuk komentoi për këtë fakt. Hamasi ka bërë thirrje për përfundimin e luftës dhe tërheqjen totale të Izraelit nga Gaza, si pjesë e çdo marrëveshjeje për lirimin e pengjeve të mbetura.
Netanyahu ka thënë se lufta do të vazhdojë derisa Hamasi të çrrënjoset dhe të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin.
Gjatë sulmit të tyre vdekjeprurës të vitit 2023 ndaj Izraelit, militantët e udhëhequr nga Hamasi kapën më shumë se 250 persona, sipas të dhënave izraelite, duke përfshirë shtetas të dyfishtë izraelito-amerikanë.
Rreth gjysma e 101 pengjeve të huaj dhe izraelitë të mbajtur ende të pakomunikuar në Gaza besohet se janë gjallë.
Ndërkohë ushtria izraelite ka bërë të ditur se ka nisur një valë sulmesh, duke goditur gjashtë fshatra në Libanin jugor, në përgjigje të sulmit me mortaja nga Hezbollahu gjatë pasdites. Sipas mediave libaneze, ka të lënduar në zonat e shënjestruara nga IDF
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.