Gazeta Si – Motra e tij është 23 vjeçe ndërkohë që ai është vetëm 14 vjeç. Por përsëri, mosha nuk e ka ndaluar të riun të ‘mbrojë’ të motrën e cila përndiqej në rrjetet sociale nga një person i panjohur.
Ai ka raportuar në platformën “iSigurt.al” dhe menjëherë pas verifikimit të situatës nga platforma, në bashkëpunim me kompanitë globale, adresa e atij personi është bllokuar.
Në platformën Kombëtare “iSigurt.al”, kjo është një nga shumë raportimet që bëhen nga djemtë për motrat ose shoqet e tyre.
Altin Hazizaj, drejtori i CRCA që ka krijuar këtë platformë, thotë se janë të shumtë të rinjtë që raportojnë në emër të motrave ose shoqeve të tyre, një trend që është çdo vit në rritje.
“Nga 60 për qind raportime që bëjnë djemtë, më shumë se gjysma janë raportime për motrat dhe shoqet e tyre që ngacmohen seksualisht në rrjetet sociale”, thotë Hazizaj. Arsyet e tjera pse djemtë raportojnë janë për adresa të vjedhura, nudititet apo vjedhje të të dhënave personale.
Raportimet vijnë nga qytetet e vogla por edhe nga qytetet kryesore të Shqipërisë.
Në vitin 2021, sipas një raporti të publikuar nga iSigurt.al, Tirana ishte qyteti kryesor nga ku janë raportuar pothuajse 50 për qind të incidenteve në rrjetet sociale, ndjekur nga Elbasani, Fieri, Durrësi, Peqini dhe Vlora.
Sipas Hazizaj, raportimi ka të bëjë me besimin tek vetja por edhe me besimin që kanë tek platforma duke e ditur se janë anonimë.
Duke qenë se e dinë se janë anonimë dhe nuk kanë frikë nga diçka që mund të ndodhë më pas, ndryshe nga ajo çfarë mund të ndodhë nëse raportojnë në polici, djemtë kanë më shumë guxim kur janë anonimë dhe çdo gjë zgjidhet pa probleme.
“Djemtë janë më kurajozë dhe vetëm gjatë 2022 kemi vënë re një rritje të raportimeve nga vajzat”, ndoshta sepse kanë pasur frikë dhe prandaj djemtë kanë marrë në dorë situatën duke raportuar për to.
Diçka tjetër që është vënë re është edhe fakti se edhe kur vajzat raportojnë, e bëjnë diçka të tillë për shoqet e tyre, jo për vete.
“Po ndodh edhe që shoqet të raportojnë në emër të shoqeve të tyre”, thotë ai.
Ndërkohë, mosha më e prekur nga incidentet në internet është grupmosha 15-17, e cila përbën rreth 47 për qind të gjithë raportimeve.
Instagrami, njësoj si vitet e tjera, mbetet platforma me më shumë incidente të raportuara, ndjekur nga Youtube dhe Facebook.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.