Ngjarje

Dhuna në internet/ Në Shqipëri djemtë raportojnë më shumë, por vajzat janë viktimat kryesore

Dhuna dhe ngacmimet seksuale në internet ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri vijojnë të shtohen. Sipas raportit të bërë publik nga Platforma Kombëtare ISIGURT.AL, në ditën ndërkombëtare të internetit të sigurt, ajo që vihet re është se djemtë vijojnë të raportojnë 2 herë më shumë sesa vajzat, por vajzat janë viktimat kryesore të dhunës dhe ngacmimeve seksuale në internet.

“64 përqind e incidenteve janë raportuar nga djem/burra dhe vetëm 32 për qind nga vajzat/gratë. 4 për qind nuk e kanë deklaruar seksin/gjininë e tyre”, thuhet në raport.

Gjithashtu numri i faqeve të raportuara të materialeve me përmbajtje të dhunës seksuale me fëmijët, krahasuar me periudhën përpara Covid, u trefishuan gjatë vitit 2021.

“Mbi 2800 faqe me përmbajtje të dhunës seksuale me fëmijë u raportuan pranë Linjës Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri”, shkruhet në raportin e përgatitur nga CRCA.

Ndonëse se krahasuar me vitin e kaluar kur ISIGURT.AL raportoi një 6 fishim të raportimeve të materialeve me përmbajtje të dhunës seksuale me fëmijët, edhe gjatë vitit 2021, fëmijët dhe adoleshentët vijuan të raportojnë të dhëna të larta të dhunës seksuale në internet.

Në total 93 raste janë trajtuar pranë ISIGURT.AL, raportime të bëra nga fëmijët, prindërit, të njohur të fëmijëve apo edhe të rritur.

Sipas raportit, muaji Shkurt dhe Mars kanë patur numrin më të lartë të rasteve të trajtuara, ndërsa muaji Tetor më të ulëtin, me 1 rast.

“Përgjithësisht muajt e verës kanë gjithnjë numër të ulët të raporteve të incidenteve në internet”, shkruhet në raport.

Ndërkohë, mosha më e prekur e fëmijëve dhe adoleshentëve nga incidentet në internet është grup-mosha 15-17 vjeç, e cila përbën rreth 47% të të gjithë incidenteve të raportuara.

Tirana është qyteti kryesor nga ku janë raportuar të dhënat me thuajse 50% të incidenteve, ndjekur nga Elbasani, Fieri, Durrësi, Peqini dhe Vlora.

Gjithashtu, në raport shkruhet se Instagrami paraqitet si platforma më me shumë incidente të raportuara ndaj fëmijëve dhe të rinjve, e ndjekur nga Youtube dhe Facebook.

Të dhënat e AKEP, INSTAT dhe kompanitë e internetit, tregojnë se të paktën 80 përqind e fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri kanë akses në internet të shpejtë dhe pa kufizim. Pjesa më e madhe e fëmijëve kanë akses të pakontrolluar në internet, për shkak të pajisjeve inteligjente që ata përdorin për t’u arsimuar, sidomos gjatë kohës kur shkollat u mbyllën masivisht.

Të dhënat për Raportin Kombëtar janë mbledhur gjatë periudhës Janar-Dhjetor 2021. Ato bazohen në raportimet që fëmijët, prindërit, mësuesit apo persona të besuar të fëmijës bëjnë pranë platformës ISIGURT.AL.

Shumica e incidenteve online janë raportuar nga Tirana, e ndjekur nga Elbasani, Fieri, Peqini, Vlora etj. 9 raportime nuk e kanë deklaruar vendbanimin e tyre.

Deri në 60 për qind të faqeve që janë raportuar janë mbyllur, ndërsa 19 për qind mbeten ende të hapura ndërkohë që deri në 97 përqind e të gjitha faqeve të raportuara gjatë vitit 2021, përmbanin faqe, informacione ose imazhe të CSAM (Child Sexual Abuse Material). Vetëm 3 përqind e tyre kishin të bënin me vjedhje profili, keqpërdorim të fotografive ose përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë