Ka ndodhur

Djegia e mjetit në Bilisht, autorët dyshohet se janë dy vëllezër

Gazeta Si - Janë dy vëllezër autorët e dyshuar të djegies së makinës së punonjësit të karburantit në Blisht të Korçës, Marsel Buçi.

Sipas policisë, ata janë të dy banues në Elbasan, ndërsa në pranga është vënë vetëm njëri.

Pa specifikuar motivin e ngjarjes, policia thotë se është arrestuar Durim Stafa 35 vjeç, ndërsa vëllai i tij Resmi Stafa është shpallur në kërkim.

Një ditë më parë, Buçi akuzoi për djegien e makinës Deizi Arapin, 27 vjeçe, pasi kjo e fundit e kishte akuzuar punonjësin e karburantit se dy javë më parë kishte djegur pikërisht mjetin e saj të parkuar para banesës.

Sipas saj, kjo është bërë me porosi të ish-kryetarit të Bashkisë së Devollit, Bledion Nallbati, aktualisht deputet i Partisë Demokratike.

Deizi Arapi u arrestua rreth dy muaj më parë, pasi u konfliktua me punonjësit e policisë gjatë shoqërimit në Komisariat pas ankesave të banorëve për prishje të qetësisë publike.

27-vjeçarja së bashku me të motrën, Xhesika Arapi u shoqëruan në komisariat më 23 gusht gjatë natës, sepse ndërsa udhëtonin me makinën e tyre bënin zhurmë nëpër qytet.

Kur policia mbërriti për t’i shoqëruar, motrat nuk kursyen fjalorin banal ndaj uniformave blu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë