Ana e errët

“Djali im është hajdut, më tha: Do iki e s’do më gjesh më kurrë”

Fotografi ilustruese e një adoleshenti të ulur në rrugë.

“Im bir është dënuar shumë herë për vjedhje”. Kështu e nisi denoncimin e saj në polici një grua që banon në Tiranë dhe me vështirësi po rrit fëmijët e saj. Gruaja, bëjnë me dije burimet policore të Gazetasi.al, mbas disa javëve pritje dhe kërkimesh familjare nuk disponon asnjë informacion për adresën e të birit. Ai është zhdukur pa asnjë adresë dhe pa asnjë gjurmë. Gruaja me inicialet D.P sipas policisë numër 6 në kryeqytet kërkon gjetjen e të birit dhe kthimin e tij në banesë, megjithëse dyshon ashtu si edhe policia se ai iku nga të afërmit me dëshirën e tij. Një burim policor i tregoi Gazetasi.al se 38 vjeçarja, nënë e pesë fëmijëve ka rrëfyer problemet e të birit, i shoqëruar dhjetëra herë në polici.

“Kam katër goca dhe një djalë, të vetmin djalë”, thotë në polici nëna, fëmija e të cilës mësohet se është larguar prej fillimit të muajit mars. Por policia numër 6 në Tiranë i tregon Gazetasi.al se denoncimi për ikjen e shtetasit G.P është depozituar pranë uniformave blu në datën 30 prill dhe prej kësaj date nuk dihet më asgjë për të. 

Policia, duke ju referuar 38 vjeçares por edhe këqyrjes së sistemit tims, shton se adoleshenti rezulton disa herë i shoqëruar për vjedhje dhe po për të njëjtën akuzë është dënuar disa herë. Duke përshkruar të birin, gruaja mësohet se shton karakteristikat fizike të tij: ai çalon pak për shkak se ka pësuar një aksident. Është i gjatë rreth 180 cm, i shëndoshë dhe me flokë të shkurtra. Por policia i deklaron Gazetasi.al se e ka marrë në pyetje nënën se në cilën datë fikse i është larguar i biri nga banesa dhe ajo ka shtuar “nuk e mbaj mend fiks”. Po ashtu 38 vjeçarja dëshmon se i biri nuk ka kartë identiteti.

“Disa herë kur e qortoja, ai shprehte dëshirën për tu larguar dhe më thoshte do iki dhe s’do më gjesh më kurrë”. Policia i thotë Gazetasi.al se ka kryer shpalljen në kërkim policor të adoleshentit, si person i larguar nga shtëpia. Deri më tani nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij thonë burimet e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë