Ngjarje

Ditët e ngrohta s’po i lënë shqiptarët të bëjnë ski. Mbyllet qendra e vetme në vend, ajo e Dardhës

Gazeta Si- Moti i ngrohtë është kthyer në një problem të madh për qendrat e skive në Shqipëri dhe në Ballkan.

Në mungesë të borës, nuk ka një zgjidhje alternative dhe e vetmja që mund të bëjnë drejtuesit e këtyre qendrave është të luten për dimër të ftohtë, me borë.

Sokrat Tasho, menaxher i ‘Ski resort Bigëll’ në Dardhë, Korçë thotë për Gazetasi.al se temperaturat janë shumë të larta për periudhën dhe kjo është diçka e pazakontë.

Pamje nga pista e skive në Dardhë, ku vitet e tjera ka qenë e mbuluar nga bora. Gazeta Si, 6 janar, 2023.

“Në vitet e tjera tani do të ishim në kulmin e sezonit. Këtë vit kishim bërë çdo gjë gati sepse nuk e mendonim se do të shkonte kështu. Ishim më të përgatitur se çdo vit tjetër pasi morëm parasysh dy vitet e fundit që ka pasur dimër dhe fluks turistësh”, thotë Tasho, duke shtuar se 2 vitet e fundit ka qenë një vit i mirë për qendrat e skive.

Tasho tregon se ishin lajmëruar për punë edhe punonjësit por në ditët e fundit janë lajmëruar përsëri që nuk do të fillonte puna.

“Janë rreth 15 punonjës që tashmë janë pa punë për shkak të motit dhe mungesës së borës. Ne i gjejmë punonjësit shumë kohë më para se të fillojë sezoni dhe të gjithë kanë pritur të fillojnë punë tek ne”.

Ai tregon për Gazetasi.al se duke qenë e vetmja qendër skijimi në Shqipëri, shumë njerëz janë interesuar të shkojnë.

“Kemi pasur jashtë mase shumë persona që janë interesuar për të ardhur pasi kanë menduar se mund të ketë sadopak borë. Pa borë askush nuk vjen”, thotë Tasho.

Temperaturat e ngrohta nuk kanë sjellë vetëm mungesën e borës por kanë ndikuar edhe në zgjidhjet alternative.

Tasho tha për Gazetasi.al se një alternativë ishte prodhimi i borës por temperaturat janë shumë të larta dhe bora nuk do të rezistonte.

“Temperaturat janë 15 gradë çdo ditë dhe është e pamundur që bora të rezistojë në këtë temperaturë”.

Pamje nga resorti i skive në Dardhë, ku vitet e tjera ka qenë e mbuluar nga bora. Gazeta Si, 6 dhjetor, 2023.

Edhe pse sipas parashikimeve pritet që ditën e hënë të nisë bora, Tasho shprehet pesimist pasi si fillim, dita e hënë është shumë e largët për të dhe nuk ka besim tek ky parashikim.

“Ka gjithë kohës që parashikohet borë dhe nuk ka rënë në asnjë moment. Asnjë parashikim nuk ka dalë deri më tani”.

Kështu temperaturat e larta kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në ekonominë e drejtuesve të ‘Ski Resort Bigëll’.

Tasho shpjegon se të ardhurat e vitit të kaluar hidhen gjatë gjithë verës në përmirësimin e infrastrukturës dhe në momentin që nuk ka të ardhura nga një sezon, humbasin të ardhurat e 2 viteve.

“Mendonim se do ishte një dimër normal si vitet e fundit që fillon në dhjetor dhe mbaron në mars por sivjet çdo gjë doli jashtë parashikimit”, përfundon Tasho.

Edhe qendrat e skive në Ballkan janë bosh

Ajazit Alomeroviç para një viti, në të njëjtën periudhë por bënte ski në shpatet e Bjelasnicës, në Sarajevë.

Këtë vit u rikthye përsëri por gjithçka që gjeti ishte temperaturat e larta dhe diell.

"Nuk ka borë, në vend të dimrit ne gjetëm verën”, tha duke buzëqeshur Alomerovic, i cili shtoi se ai dhe familja e tij kanë pritur çdo ditë për borë por tani i kanë humbur shpresat dhe do të largohen nga aty.

“Ky vend ka pritur Lojërat Olimpike Dimërore në 1984 dhe tani është kthyer në një vend të shkretë”, thotë ai.

Edhe pse vendet e skijimit duhej të ishin plot në këtë kohë, qendrat e skive në Bosnjë, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut mbeten kryesisht bosh.

Disa po ofrojnë shëtitje panoramike për të admiruar pamjet, por shumica e teleferikëve duket si pa jetë kur poshtë tyre shihet vetëm bar dhe baltë, me copa bore në disa vende.

Një pamje ajrore tregon shkrirjen e borës në një pistë skish, në një qendër skijimi në Bjelasnica, afër Sarajevës, Bosnje dhe Hercegovinë.

Disa turistë shqiptarë që vizituan qendrën e skijimit të Brezovicës në Kosovë të enjten u ankuan se teleferikët nuk po funksiononin dhe nuk mund të bënin fotografi nga maja e malit, që ka pak borë.

"Nuk mbaj mend ndonjë vit si ky në 30 vitet e fundit", tha Igor Nikolcevic, i cili ka një pica bar në Brezovicë, që këtë vit ka qenë bosh, pa klientë.

"Kjo është hera e parë në jetën time që kam parë 5 ose 10 gradë më shumë në janar”, tha ai.

Sezoni i skijimit në shumicën e qendrave të Ballkanit do të hapej në fillim të dhjetorit, por është shtyrë deri më tani. Të gjithë shpresojnë se në vijim do të ketë mot më të ftohtë dhe borë, edhe pse janë disi pesimistë.

"Është shumë e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë pasi janari është muaji kyç për biznesin", tha Aldin Smajkan nga Qendra Olimpike ZOI Sarajevë, që operon qendrat e skive Bjelasnica dhe Igman.

Në Mavrovë, qendra më e madhe e skive në Maqedoninë e Veriut, gati 70%-80% e rezervimeve të hoteleve janë anuluar për shkak të mungesës së borës, sipas Ognen Cigovski, menaxher i përgjithshëm i vendpushimit të skive Bistra.

Edhe pse janë munduar tu ofrojnë vizitorëve shëtitje me biçikleta, përsëri ka qenë e kohë.

“Njerëzit vijnë në Mavrovë për të bërë ski, për të shëtitur me biçikleta”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë