Analize

Ditët e fundit në detyrë, por Kurti ndali tregtinë me Serbinë…

Edhe pse në ditët e fundit të qeverisjes së tij, kryeministri në detyrë i Kosovës ia ka dalë të mbajë një nga premtimet e tij më të vjetra: reciprocitetin me Serbinë.

Ndërkohë që Lidhja Demokratike e Kosovës është një hap larg nga ardhja në krye të qeverisë pa Vetëvendosjen në krah, në atë që ka të ngjarë të jetë vendimi i tij i fundit si kryeministër Kurti ia doli të hënë të ndalte plotësisht tregtinë me Serbinë.

Përpjekjet e të dërguarit Special Richard Grenell për heqjen e taksës dhe fuqizimin e marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve, duket se u minuan kur pesëmbëdhjetë kamionë me mallra nga Serbia nuk janë lejuar të hyjnë në territorin e Kosovës të hënë për shkak të zbatimit të masave te reciprocitetit.

Në një vendim të prerë, Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur që asnjë maune nga Serbia të mos hyjë nëse në dokumentet e saj nuk shkruan Republika e Kosovës.

Kurti deklaroi se “edhe emri “Kosovë” është kushtetues, por se së fundmi Serbia ka kërkuar që mjetet që hyjnë nga Kosova në Serbi të përdori emrin “Republika e Serbisë”. “Kështu që ne i kundërvihemi me masë reciproke”, deklaroi Kurti.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci ka njoftuar se kthimi i mauneve ka ardhur pas aplikimit të masave të reciprocitetit sipas pikës 1 dhe pikës 3 të vendimit të Qeverisë. Pika 3 e vendimit kërkon nga operatorët ekonomikë të Serbisë të pajisem me leje hyrëse për secilin automjet që hyjnë në Republikën e Kosovës nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi.

Nga Zyra atje është bërë e ditur se rreth 20 kompani serbe deri më tani kanë kërkuar leje për eksportin e mallrave në Kosovë sipas rregullave të reja tregtare të miratuara.

"Ne i kemi përcjellë kërkesat institucioneve kompetente në Kosovë, të cilët do të vendosin për secilën kërkesë individualisht, sepse duhet të plotësojnë kushte të caktuara, në mënyrë që mallrat të hyjnë në Kosovë. Sapo të sigurojnë lejen, ata do të jenë në gjendje të transportojnë mallrat,” njoftoi kjo zyrë në një deklaratë. Nga 1 prilli Serbia ka eksportuar rreth 12 milionë euro mallra në Kosovë.

Por reciprociteti është kritikuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por edhe nga përfaqësuesi special i Bashkimit Europian për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, i cili ka thënë se këto masa e dëmtojnë dialogun.

Po ashtu sipas vendimit të marrë nga Kurti, Kosova do të ndalë përdorimin e dokumenteve për produktet bujqësore dhe industriale që përmbajnë elemente që mohojnë pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”.

Sipas vendimit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të jetë e detyruar të përdorë stemën dhe emrin Republika e Kosovës në certifikatat veterinare për të gjitha produket që cohen në Serbi.

Një nga kompanitë e Kosovës që eksporton mallra në Serbi, “Inter-Company” nga Podujeva ka njoftuar se pas vendimit të ri për reciprocitet ka ndalur tregtinë, duke thënë se Beogradi nuk lejon që në certifikatat të shkruhet Republika e Kosovës, por vetëm Kosova.

“Nuk kam tentuar të eksportoj sepse qeveria na ka kushtëzuar që në certifikata duhet të shkruhet Republika e Kosovës, dhe autoritetet serbe nuk e pranojnë. Nuk kam tentuar sepse e di që maunet do të bllokohen në kufirin serb”, tha Konushevci.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë