Kanë kaluar shtatëdhjetë e gjashtë vjet që kur ushtria ruse çliroi kampin më të tmerrshëm të përqendrimit të krijuar ndonjëherë në historinë njerëzore, kampin e shfarosjes së Aushvicit, një kamp gjerman në Poloni, ku gjatë Luftës së Dytë Botërore, u vranë miliona të burgosur, kryesisht miliona qytetarë hebrenj të dëbuar nga të gjitha anët e Europës. Dhe megjithëse ka kaluar një kohë e gjatë që atëherë, pavarësisht nga mizoritë e rënda dhe të tmerrshme të kryera në luftërat e ndryshme që ndodhën në mbarë botën, çlirimi i Aushvicit është ende simboli i fitores mbi të keqen absolute dhe një paralajmërim për brezat e ardhshëm për pushtetin.
Për dhënien fund të Holokaustit nazist, në vitin 2005 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që shpallte 27 janarin si ”Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në nderim të viktimave të Holokaustit”.
Kjo ditë përkujton miliona viktima të politikave të gjenocidit të Gjermanisë naziste që u kryen gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe përqendrohet në përpjekjet bashkëkohore për të luftuar urrejtjen dhe anti-semitizmin.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore rreth gjashtë milionë njerëz u vranë, në përpjekjen sistematike të nazistëve për shfarosjen e hebrenjve. Hebrenj nga e gjithë Gjermania dhe vendet europiane të pushtuara prej saj, u grumbulluan në kampe përqendrimi, ku u helmuan me gaz, u qëlluan, u lanë të vdisnin urie.
Në kampin Auschwitz do të vdisnin më shumë se një milion njerëz, të vrarë në dhomën e gazit, të rraskapitur nga kushtet e pamundura të punës, ekzekutimet e shumta, rrahjet dhe torturat nga agjentët. Viktimat ishin kryesisht hebrenj, rusë, polakë dhe rom. Kampet e vdekjes, vendet e terrorit u çliruan më 27 janar 1945. Momentet e shpresës, në të cilën u gjetën rreth 7 mijë të burgosur ende gjallë, njerëzimi i kujton ende sot, pas 76 vitesh, në ditën e përkujtimit të Holokaustit.
Në shpëtimin e hebrenjve nga tmerret e Holokaustit, një rol të madh ka edhe Shqipëria.
Shqipëria është një prej vendeve të rralla në botë ku gjatë Luftës së Dytë Botërore, u strehuan e gjetën shpëtim, jo vetëm hebrenjtë që jetonin në Shqipëri, por edhe disa mijëra hebrenj të vendeve të Ballkanit dhe të Europës Qendrore. Nga shqiptarët u shpëtuan mbi 3 mijë e 500 hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që disa qindra shqiptarë u vranë nga nazistët në kampin famëkeq të Mathauzenit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.