Ngjarje

Dita Ndërkombëtare e Lumturisë, por shqiptarët cilësohen më të palumturit

Sot është Dita Ndërkombëtare e Lumturisë. 20 marsi është cilësuar se e tillë pasi lumturia mendohet si një qëllim themelor i njeriut. Në kuadër të kësaj dite sociologu Gëzim Tushi shprehet se, të gjithë treguesit dhe indekset me të cilat matet lumturia siç janë të ardhurat për frymë, pritshmëria për të qenë mirë, mbështetja tek miqtë dhe tek të afërmit, liria për të bërë zgjedhje individuale në jetë dhe sidomos treguesit e korrupsionit janë në nivele jo të kënaqshme dhe shkaktarët kryesorë të nivelit të ulët për lumturinë në shoqërinë shqiptare.
Tushi ka thënë për Gazetën “Si” se ka disa arsye që janë objektive, por edhe disa arsye që janë subjektive përse shqiptarët nuk janë të lumtur.


“Pikëpamja objektive është e vërtetë që akoma niveli i të ardhurave për frymë, i papunësisë, emigracioni i lartë, dëshpërimi, kanë një ndikim shumë të madh në këtë perceptim të realitetit të lumturisë në vendin tonë. Nga ana tjetër mendoj se ka një arsye tjetër që është subjektive dhe ka të bëjë me orientimin e njeriut, për ta gjetur lumturinë në jetë. Në qoftë se nga njëra anë kemi këto situatat e zhvillimit ekonomik të korrupsionit, duave politike, të mirëqenies, papunësisë, nga ana tjetër duket që ka një situatë ku po shtohen njerëzit që lumturinë e shohin me “ sikur” dhe këto “sikur” nuk kanë asnjëherë fund, pra lumturia në një farë mënyre thonë njerëzit e mençur të kësaj bote, më shumë se duhet ta kërkosh tek të tjerët, duhet ta kërkosh tek vetja,” shton Tushi
Në indeksin e lumturisë të publikuar nga organizata e Kombeve të Bashkuara, Shqipëria renditet në vendin e 107 nga 156 shtete, duke u përcaktuar kështu një ndër vendet e fundit në Europë. Raporti tregoi se popullsia shqiptare, nuk është e lumtur dhe është pothuajse në të njëjtat nivele si Venezuela, Palestina dhe Somalia.

Sociologu Gëzim Tushi

“Raporti i organizatës së kombeve të bashkuara për ketë vit që e rendit Shqipërinë në vendin 107 nga 156 vendet e vëzhguara, lidhur me indeksin e lumturisë është një sinjal natyrisht jo i mirë për situatën sociale dhe politike në vendin tonë. Si qytetar dhe si intelektual nuk e ndjej veten mirë që të jemi të renditur në këtë vend kaq shumë të ulët,” shprehet Tushi.
Sipas raportit, një ndër treguesit më të këqij në Shqipëri është përcaktuar korrupsioni dhe vendi ynë qëndron në listën e 20 vendeve më të korruptuara në botë. Një tjetër problem në shoqërinë tonë është, edhe treguesi i mbështetjes sociale, ku pozicionohemi në vend të 133, i ndjekur më pas nga ndjenja negative.
Sociologu shprehet se individët në Shqipëri, së pari duhet të sigurojnë një lloj lumturie individuale e cila është e personalizuar, duke rregulluar harqet subjektive të orientimit në jetën sociale, harqet e sigurimit ose piketat e referimit që të bëjnë të lumtur, duke qenë i punësuar, duke qenë i martuar, duke qenë i angazhuar në jetën sociale. Sipas tij, të gjitha këto komponentë kanë ndikim shumë të madh në realizimin e lumturisë individuale, sepse në fund të fundit lumturia në nivel shtetëror është një shumatore e njerëzve qe janë të lumtur. Ndër të tjera ai shton se, njerëzit duhet të mësojnë mos ta kërkojmë lumturinë në vendet e gabuar, por ta kërkojmë atje ku ajo është.

“Në vend të depresionit dhe të pesimizmit social si dhe individual unë do të thoja se, ne kemi nevojë që të karikojmë bateritë e njerëzve dhe shoqërisë tonë me më shumë optimizëm dhe besim tek vetja. Gjetja ose arritja e përmirësimit të lumturisë së treguesve të lumturisë në shoqërinë tonë është në duar të shtetit është në duar të shoqërisë, por jam i sigurt në mënyrë absolute gjithmonë duke qenë i prirur nga orientimi gjeneral dhe individualist mendoj se së pari dhe mbi të gjitha është në dorë të individit,” shtoi ai.
Dita e lumturisë u përcaktua në korrik të vitit 2012 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e cila me anë të një rezolute, përcaktoi se Dita e Lumturisë do të festohet çdo vit në datën 20 mars duke përkuar edhe me ditën e ardhjes së pranverës. Në studime të kryera gjatë viteve të fundit, lumturia është zhvilluar bazuar në idetë e mënyrës së jetesës, por ende nuk dihet nëse ajo është kuptimi apo qëllimi i jetës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë