Ngjarje

Dita e Verës i largohet tradicionales

Nga Gazeta Si - Tirana është në festë por vështirë të kuptosh se është Dita e Verës. Kaosi dhe shitja e produkteve të ndryshme u kanë zënë vendin veroreve dhe ballokumeve...

Është e vështirë të kalosh pa u përplasur me njeri, qoftë dikush që në gjithë turmën e njerëzve ka vendosur të kalojë me një karrocë fëmijësh apo me një prind që po vrapon të kapë fëmijën që humbet në turmë dhe në pak sekonda të ikën nga sytë.

Turmën e madhe nuk e ndal as policia që mundohet të vendosë rregull të paktën në semaforë, diçka që duket e pamundur. Kudo ka njerëz që kalojnë në hapësirën e vogël që krijohet mes dy makinash, edhe policia bën me shenjë se është semafori i kuq dhe duhet të respektohet pavarësisht ditës jo të zakontë, ku shumë rrugë janë bllokuar.

Në shëtitoren e Liqenit Artificial të Tiranës gjendja është njësoj si në të gjithë Tiranën. Njerëzit “nxitojnë” të bëjnë shëtitje dhe të vetmit që ndalen janë prindërit që duan t'u blejnë kokoshka apo lodra fëmijëve, duke “injoruar” kështu edhe kryefjalën e Ditës së Verës, ballokumen.

Në të gjithë shëtitoren janë 3 persona që shesin ballokume dhe duhet të kalojë disa kohë për të parë një njeri që ndalon të pyesë për çmimin apo nëse janë ballokume nga Elbasani dhe shumë pak prej tyre e blejnë një të tillë.

“Kanë blerë më shumë kokoshka dhe pambuk sheqeri. Nuk i duan fëmijët ballokumet ndërsa të rriturit duket sikur nuk i preferojnë më, nuk i blejnë”, tregon një nga shitësit të cilit i ndërpritet fjala nga një grua rreth të 60-tave e cila shton se nipi i saj i quan ballokumet ‘kulaçë’ dhe nuk ka as kureshtjen ti provojë ndërsa ajo vetë nuk i blen sepse janë po të njëjtat çdo vit, e njëjta shije.

Në Liqenin Artificial të Tiranës atmosfera është e qetë përsa i përket organizimeve pasi gjithë shëtitorja po bëhej gati për një aktivitet në darkë dhe ditën e kanë lënë të lirë për këdo që dëshiron të bëjë një shëtitje.

Situata është po njësoj dhe në sheshin Skënderbej. Turma që të marrin përpara dhe shumë pak ballokume. Muzika në mes të sheshit është ndoshta pjesa më e bukur e kësaj dite, edhe pse diçka e zakonshme në Tiranë. Njësoj si në Liqenin Artificial, duhet të bësh ‘kërkime’ për të gjetur dikë që shet ballokume. Duket se tregtarët shfrytëzojnë rastin për të shitur produkte të tjera, duke u larguar paksa edhe nga tradita e kësaj dite.

Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka pak stenda biznesi që promovojnë produktet e tyre, në krahasim me një vit më parë. Edhe ato stenda që janë, shesin gjalp, varëse, vaj ulliri dhe produkte të tjera duke harruar ballokumet.

Shitësit thonë për Gazetasi.al se këtë vit festa është ndryshe pasi u është dhënë më shumë rëndësi aktiviteteve që do të mbahen gjatë gjithë ditës, deri vonë në mbrëmje.

Pavarësisht kësaj, shitësit nuk janë penguar të shfrytëzojnë rastin dhe të dalin nga tradita e ditës, duke shitur rroba.

Afër instalacionit “Reja”, disa shitës kanë krijuar një mini treg duke shitur rroba të reja dhe të përdorura.

“E dinim se do ketë shumë njerëz dhe pse mos ta shfrytëzojmë rastin”, thotë një nga shitësit i cili nxiton t’i kthejë përgjigje një klienti për çmimin e rrobave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë