Ngjarje

Dita e Ujit të Bekuar, besimtarët ortodoksë sfidojnë temperaturat e ulëta

Sot në të gjithë Shqipërinë është festuar Dita e Ujit të Bekuar, e cila përkujtohet çdo vit më 6 janar. Ceremonitë e ditës së Ujit të Bekuar janë zhvilluar në të gjitha kishat ortodokse të vendit.

Besimtarët ortodoksë kanë sfiduar temperaturat e ulëta dhe dëborën për të kryer ritualet, pasi për ta pagëzimi i shpëtimtarit është një ditë e shënuar.

Në Korçë ceremonitë janë zhvilluar në katedralen “Ringjallja e Krishtit”, ku i pranishëm ka qenë edhe presidenti Ilir Meta. Ceremonia u drejtua nga Mitropoliti i Korçës, Johan Pelushi.

Ndërkohë, në një nga shëtitoret e Korçës është bërë ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë.

Në ceremoninë e ujit të bekuar kanë qenë të shumtë besimtarët e pranishëm, të cilët kanë ndezur qirinj në ambientet e katedrales në Korçë.

Në Durrës besimtarët kanë bërë pagëzimin e Jezu Krishtit në lumin Jordan dhe fillimin e misionit të tij shpëtimtar. Kryqi është hedhur në ujërat e portit dhe u kap nga i riu Alban Gjonmarkaj. Ceremoni të ngjashme janë zhvilluar edhe në Gjirokastër. Ndërsa, në Berat kryqi është hedhur në ujërat e lumit Osum dhe është kapur nga Xhoxhi Naço.

Në Vlorë pas ceremonisë së hedhjes së kryqit në det, At Konstandin ka uruar të gjithë shqiptarët.

Hedhja e kryqit në ujë

Zanafilla

Në moshën 30-vjeçare, Krishti, Biri dhe Fjala e Perëndisë, u shfaq mbi ujërat e lumit Jordan, që të pagëzohet nga Joani Pararendësi dhe Pagëzor. Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, qiejtë u hapën, dhe një zë nga qielli tha: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur”, shkruhet në ungjill. Dhe këtu e ka zanafillën besimi se uji i bekuar është mjet pastrimi i shpirtit të mëkatarit ndaj dhe çdo datë 6 janar besimtarët ortodoksë bëhen pjesë e ritualit të Ditës së Ujit të Bekuar. Në këtë ditë të shenjtë, uji bëhet ikona e hirit të padukshëm të Perëndisë, që me anë të ujit dhe të Shpirtit i rilind, i pastron, i shenjtëron dhe i ndriçon njerëzit besimtarë në Krishtin.

Rituali kishtar

Shërbesat e Epifanisë janë renditur njësoj si ato të Krishtlindjes, ndonëse historikisht është e sigurt se ato të Krishtlindjes imituan ato të Epifanisë, meqenëse u themeluan më vonë. Përsëri kemi Orët Mbretërore dhe Meshën e Shën Vasilit, të kremtuar së bashku me Mbrëmësoren në vigjiljen e festës. Profecitë e Epifanisë përsërisin Perëndia është me ne nga Isaia dhe theksojnë parashikimin e ardhjes së Mesias, si edhe të pararendësit të tij Joan Pagëzorit: Zëri i njërit që bërtet në shkretëtirë: Përgatisni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij! Çdo luginë të jetë e mbushur dhe çdo mal e kodër të jetë sheshuar; të shtrëmbërat të drejtohen dhe rrugët e ashpra të sheshohen dhe çdo mish të shohë shpëtimin e Perëndisë (Isaia 40:3-5; Lluka 3:4-6).

Tradita

Disa njerëz mendojnë se bekimi i ujit dhe praktika e pirjes dhe spërkatjes me të është një “paganizëm”, i cili ka hyrë gabimisht në Kishën e Krishterë. Por, ky ritual praktikohej nga Populli i Perëndisë në Dhiatën e Vjetër dhe se në Kishën e Krishterë ka një kuptim shumë të rëndësishëm dhe të veçantë. Të krishterët besojnë se qysh kur Biri i Perëndisë mori mish njerëzor dhe u zhyt në ujërat e Jordanit, e tërë materia u shenjtërua dhe u pastrua në atë, u la prej cilësive të saj që kishin të bënin me vdekjen, të trashëguara nga i ligu dhe nga dobësia e ligësia e njerëzve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë