Ngjarje

Dita e parë e vaksinimit te Ekonomiku, pjesëmarrje e ulët

Këtë të mërkurë nisi vaksinimi në mjediset e brendshme të Fakultetit Ekonomik. Por - siç rezultoi nga një vëzhgim i Gazetasi.al - ky proces filloi pa dy elementë shumë të rëndësishëm: informimi dhe pjesëmarrja.

Studentë të ndryshëm që futeshin në ambientet e fakultetit për të marrë informacione tek zyra e informacionit (që nuk kishin të bënin me vaksinimin) tregojnë për Gazetasi.al se nuk e dinin se sot niste vaksinimi në mjediset e fakultetit.

“Mua nuk më ka thënë njeri gjë, as shoqërisë, se do më kishin thënë përndryshe”, thotë një nga shumë studentët që pyetëm. Ky "justifikim" reflektohet edhe pjesëmarrja shumë e ulët. Duhej të kalonte goxha kohë për të parë një të ri që vaksinohej.

Thuajse të gjithë studentët që hasëm pranë këtij Fakulteti ose e kishin kryer vaksinimin ose ishin pro kryerjes së tij, qoftë edhe me detyrim. Që pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se viti i ri akademik do të nisë me studentë të vaksinuar dhe se ata që nuk pranojnë të vaksinohen, nuk do të lejohen në auditore, ka pasur mjaft reagime studentësh. Ditët e fundit protesta e tyre është bërë më e zëshme, edhe nën frikën e humbjes së vitit shkollor.

Ata që po vaksinoheshin ndërkohë ishin staf akademik që, për fatin e tyre të mirë, nuk kishin nevojë të prisnin në radhë për të bërë vaksinën.

“Ka pak pjesëmarrje, edhe këto që po vaksinohen janë staf”, thotë një nga infermieret që po kryente procesin.

Po e njëjta infermiere (që nuk do të identifikohet me emër) thotë për Gazetasi.al se “nuk kemi infomacione se sa kohë do të zgjasë ky proces këtu”.

Nisja e procesit të vaksinimit në Fakultetin e Ekonomikut vjen në të njëjtën ditë që Rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha deklaroi se vaksinimi nuk ka pse të bëhet me detyrim.

“Rreth 75% e stafit në Universitetin e Tiranës është vaksinuar dhe detyrimi për të bërë vaksinën nuk është i drejtë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë