Bota

“Dita e Lirisë”, Anglia heq kufizimet kundër koronavirusit, edhe pse infektimet rriten

Anglia ka hequr të hënën pothuajse të gjitha kufizimet, edhe pse numri i të infektuarve në baza ditore, u është afruar niveleve rekorde, për shkak të variantit Delta.

Dita e lirimit të masave në Britani po konsiderohet Dita e Lirisë. Duke nisur nga e hena në Britani nuk do të ketë kufizime se sa persona mund të takohen dhe të jenë pjesë e organizimeve, përfshirë klubet e natës.

Vendosja e maskës do të rekomandohet në disa hapësira, mirëpo nuk do të kërkohet me ligj.

Në një material të publikuar të dielën pasdite në Twitter, Johnson ka thënë se tani është “momenti i duhur” për të jetësuar fazën finale të heqjes së masave.

“Nëse nuk bëjmë diçka të tillë tani, ne duhet ta pyesim veten se kur do ta bëjmë?" u ka thënë Johnson qytetarëve. “Mirëpo duhet ta bëjmë këtë gjë me kujdes. Duhet ta kujtojmë se virusi është ende me ne. Numri i të infektuarve po rritet nga varianti jashtëzakonisht ngjitës Delta”.

Masat e respektuara për 17 muaj, janë hequr disa orë pasi kryeministri britanik, Boris Johnson dhe shefi i Thesarit, Rishi Sunak, kanë bërë të ditur se do t’i nënshtrohen karantinës 10-ditore.

Të dy zyrtarët kanë qenë në kontakt me Sekretarin britanik të Shëndetësisë, Sajid, i cili është infektuar me koronavirus, pavarësisht se ka marrë dy doza të vaksinës kundër këtij virusi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë