Ngjarje

Dita e 6-të e protestës kundër projektit për Zvërnecin, tubime në Tiranë, Durrës e Korçë (foto)

Gazeta Si – Qindra e mijëra qytetarë në Tiranë, mbushën edhe mbrëmjen e kësaj të premteje sheshin “Skënderbej” në ditën e 6-të të protestës kundër projektit turistik në Zvërnec të Vlorës.

Ata mbanin në duar flamuj kuq e zi dhe flakadanë dhe kanë marshuar drejt bulervardit “Dëshmorët e Kombit” për t’ju drejtuar kryeministrisë.

Protestuesit kanë përsëritur kërkesat e tyre, teksa ata kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë. Po ashtu, qytetarët kanë thënë se nuk pranojnë parti politike në këtë protestë. Ata u shprehën se e konsiderojnë këtë protestë si një revolucion.

Qytetarët mbanin në duar pankarta të ndryshme të tilla si Kur rinia çohet, qeveria rrëzohet”, “Po ndërtoni aq shumë, sa edhe zogjtë po kërkojnë leje ndërtimi”, “KM shet troja shqiptare për interesat e tij”, “Kur ti fshihje vjedhjet, nënat tona fshinin lotët te pragu i derës, kryeministër”, “Nuk shijon kafja, kur vidhet e ardhmja”, “Është koha për dorëheqje”, “Shqipëria nuk është në shitje” etj.

Përpos se në Tiranë, protesta janë mbajtur edhe në qytete të tjera, si në Durrës, Korçë, Elbasan dhe Kukës, ku qytetarët të mbledhur në grupe ose të organizuar, kërkuan anulimin e projektit turistik në Zvërnec.

Në kryeqytet, teksa kanë thirrur sërish në kor, “Rama në burg”, “Berisha në burg”, protestuesit kanë ripërsëritur 5 kërkesat që kanë për qeverinë, ku nuk pranojnë dialog me Ramën, por largimin e tij.

Ata po ashtu kërkojnë edhe anulimin e investimit në Zvërnec si dhe shfuqizimin e ndryshimeve ligjore të bëra së fundi në ligjin për zonat e mbrojtura.

Po këtë mbrëmje, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Vlorë me pronarët e tokës së Zvërnecit në zonën ku do të ndërtohet projekti.

Mësohet se nesër (e shtunë 6 qershor), do të mbahen dy protesta të njëpasnjëshme, në Zvërnec dhe Tiranë. Sipas njoftimeve, protesta e parë do të zhvillohet në orën 10:00 në Zvërnec, ndërsa tubimi i dytë është planifikuar në orën 18:00 në Bulevardin e Tiranës, ku pritet të mblidhen sërish qytetarë nga zona të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë