Ka ndodhur

Pas 4 ditë protestash ARRSH kthen rrugën e Rinasit me dy sense lëvizjeje

Gazeta Si – Pas 4 ditë protestash dhe përplasjeje mes banorëve dhe policisë, rruga e Rinasit do të kthehet në gjendjen e mëparshme.

ARRSH thotë se qarkullimi do të vijojë me dy sense lëvizjeje deri në një zgjidhje përfundimtare me qëllim lehtësimin e trafikut në segmentin Qafë Kashar-Rrethrrotullimi i Rinasit-Ahmetaq.

“Apeli ynë për të gjithë drejtuesit e mjeteve që vijnë nga veriu, të përdorin akset alternative për të mos rënduar trafikun në rrugën që të çon drejt aeroportit të Rinasit. Udhëtarë/turistët që marrin fluturimet të marrin në konsideratë fluksin e lartë të mjeteve në këtë aks duke përllogaritur orarin e nisjes”, thuhet në njoftimin e ARRSH.

Vendimi erdhi teksa banorët kanë dalë në ditën e katërt të protestës, duke bllokua rrrugën së bashku me fëmijët.

Të shoqëruar nga prindërit ata ishin ulur në mes të rrugës. “Duam shkollë, shkolla rrugë nuk ka”, thërrisnin të vegjlit.

Hapja e rrugës së Rinasit, ku tashmë po lëvizet me dy sense, është pritur me duartrokitje nga banorët të cilët u ngritën në protestë për të katërtën ditë me radhë.

Protestës iu bashkuan edhe disa përfaqësues të PD-së, deputetët Oerd Bylykbashi dhe Xhelal Mziu.

Banorët kërkonin nga Autoriteti Rrugor Shqiptar rikthimin lëvizjen me 2 sense në rrugën që të çon drejt aeroportit, pasi nuk kishin asnjë alternativë.

Për shkak të bllokimit të rrugës në ditët e fundit, trafiku u rëndua edhe pse u tha se kishte edhe një rrugë alternative.

Ndërsa nën panikun e humbjes së avionit, udhëtarët lanë mjetet dhe u nisën në këmbë drejt aeroportit.

Me valixhe në duar, ata janë parë duke nxituar për të mos humbur avionin drejt destinacionit të tyre. Por që sot, me mbarimin e protestës, parashikohet që trafiku të jetë më i lehtësuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë