Ngjarje

Dita e 12-të, ftesa e Ramës për dialog refuzohet sërish

Dita e 12 e protestës së studentëve vijoi para Kryeministrisë, por me një ritëm më të ngadaltë grumbullimi se ditët e tjera të protestës. Edhe këtë të dielë, studentët refuzuan kërkesën e Kryeministrit Edi Rama për dialog.

“Kryeministri të plotësojë 8 pikat e kërkesës tonë. Nuk ka nevojë për dialog në këtë mes. Për çfarë duhet dialogu? Kjo tani është bërë më shumë një lojë nervash. Nëse ai do lojë nervash, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu. Do të vazhdojmë bojkotin e mësimit”, thanë studentët.

Përmes Instagramit, Kryeministri vazhdon me përpjekjet e tij për dialog. Orët e fundit ai poston pankarta nga protestat studentore në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku studentët kërkojnë dialog me autoritetet.

Për studentët protestues 8 pikat janë të panegociueshme dhe s’ka nevojë as për dialog për to, por vetëm plotësim. Ata paralajmërojnë një protestë masive ditën e hënë para Kryeministrisë, protestë për të cilën partitë opozitare kanë shprehur gatishmërinë për t’iu bashkuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë