Filma

Disney rikthen ‘Mulan’ pas 20 vitesh. Tani në versionin me njerëz

‘Mulan’ nuk ka qenë asnjëherë princesha tipike e ‘Disney’. Ajo kishte shpirtin e një luftëtareje dhe ishte pikërisht kjo gjë ajo çka e bëri atë një nga personazhet më të dashura të fëmijëve ndër vite. Kësaj radhe kompania ‘Disney’ ka vendosur ta sjellë ndryshe atë si dhe shumë filma të tjerë që janë publikuar apo priten të publikohen në vitet e ardhshme. ‘Disney’ ka vendosur t’i rikthejë filmat e animuar në filma me aktorë të vërtetë dhe ky është me të vërtetë një lajm i bukur.

Së fundmi është publikuar trailer-i i filmit ‘ Mulan’, i cili pritet të dalë vitin e ardhshëm. Filmi fokusohet në historinë e Mulan, transformimin e fuqishëm të saj, nga një shtëpiake e ardhshme në një luftëtare të egër.

Historia mbetet e njëjtë me filmin e animuar. Ne ndjekim rrugëtimin e Mulan-it, e cila zë vendin e të atit të sëmurë në ushtri, duke u futur nën lëkurën e një burri, pasi grave nuk u lejohej të shërbenin në ushtri. Fillimi i trailer-it tregon Mulan-in duke u përgatitur për një martesë me mblesëri, në të cilën ajo pritet të luajë rolin e një gruaje të përkushtuar ndaj të shoqit. Dhe në fund të klipit, Mulan shihet duke luftuar në një betejë, duke përdorur një shpatë, hark dhe shigjetë kundër sulmit të Han-ëve, të cilët edhe në filmin e animuar ishin kundërshtarët e saj.

“Është detyra ime të luftoj”, janë fjalët e Mulan-it në klip.

https://youtu.be/01ON04GCwKs

Thuhet se filmi i ri do mbajë disa, por edhe do largojë disa nga personazhet e filmit origjinal, duke përfshirë edhe dragoin Mushu, i cili e shoqëron Mulan-in gjatë gjithë kohës në filmin e animuar. Kjo ishte një goditje për fansat e filmit, të cilët shpreheshin se filmi i ri ‘Mulan’ nuk ka kuptim pa prezencën e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë