Lojëra me Dore

Dimitrov dhe Çoriç dalin pozitivë, dridhet bota e tenisit

Tani tenisi vërtet po dridhet, për shkak të koronavirusit. Pas Grigor Dimitrov, edhe kroati Borna Çoriç ka bërë të ditur publikisht se është infektuar nga Covid-19. Ai ishte kundërshtar i bullgarit në turin e dytë të “Adria Tour”, një kompeticion bamirësie i organizuar nga numri 1 në botë, Novak Gjokoviç.

“Përshëndetje të gjithëve, dua t’ju informoj se kam rezultuar pozitiv me koronavirus, - ka shkruar 23-vjeçari kroat, numri 33 në renditjen botërore, në profilin e tij në Tuiter. – Dua t’u them të gjithëve atyre që kanë pasur kontakt me mua ditët e fundit që të bëjnë testin. Më vjen shumë keq për problemet që mund të kem shkaktuar. Jam mirë dhe nuk kam simptoma. Uroj të jeni mirë, ju dua të gjithëve”.

Borna Çoriç, tenisti kroat që ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Gazeta Si, 22 qershor 2020

Pasi doli pozitiv Dimitrov, organizatorët e turneut bënë tamponin për 22 persona dhe 19 prej tyre dolën negativë. Përveç Çoriç, dy pozitivët e tjerë janë përgatitësi i Gjokoviçit, Marko Paniki, dhe trajneri Dimitrov, Kristijan Groh. Gjokoviç nuk ka simptoma, por gjithsesi do të kryejë testin pas kthimit në Beograd. “Të tre ata që kanë rezultuar pozitivë do të izolohen në Zara dhe do të ndjekin udhëzimet e autoriteteve, - kanë bërë me dije organizatorët. – Do të bëjnë një tjetër test pas 5 ditësh, nëse përgjigja do të jetë negative, do të kthehen në shtëpi, në të kundërt do të ketë vendime të tjera”.

Tenistët e tjera që janë testuar dhe kanë dalë negativë, janë lejuar të kthehen në shtëpi, por janë këshilluar që të vetëizolohen. Finalja e turneut mes Gjokoviç dhe rusit Rublev u anulua pasi doli pozitiv Dimitrov. “Nole” u është përgjigjur kritikave për kushtet higjienike të turneut, duke folur për një situatë pandemike nën kontroll. Shumë spektatorë kishin maskë, ndërsa distancimi social mes lojtarëve nuk është respektuar. Kritika ka pasur edhe për festën e mbylljes së turneut në një klub nate, e organizuar nga vetë Gjokoviç. Në atë festë lojtarët kishin menduar për gjithçka, përveç distancimit social. Mori pjesë edhe Dimitrov, i cili pak orë më pas njoftoi se ishte pozitiv.

Rasti i dy tenistëve pozitivë brenda pak orësh rrezikon të krijojë një situatë kaotike në gjithë botën e tenisit botëror, që po përpiqet të ringrihet gradualisht pas ndalesës së detyruar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Burimi: Gazzetta dello Sport/ Përktheu: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë