Nga Gazeta Si- Digjitalizimi i shërbimeve publike e vendos shtresën e varfër në disavantazh krahasuar me pjesën tjetër të vendit.
Në një raport të publikuar nga Qëndresa Qytetare ku është vlerësuar përdorimi dhe efikasiteti i e-Albania nga qytetarët shqiptarë, shkruhet se rreth 60 % e të anketuarve thonë se ofrimi i shërbimeve publike online e vendosin shtresën e varfër të popullsisë në disavantazh. Vetëm 17.7 % e tyre u shprehën për të kundërtën.
Nga ana tjetër, një pjesë e madhe e të anketuarve janë skeptik ose nuk mendojnë se të dhënat e tyre personale në portalin e-Albania janë të sigurta.
Analiza e të dhënave tregon se 39.6% e të pyeturve nuk mendojnë se të dhënat personale në portalin e-Albania janë të sigurta, ndërkohë që niveli i skeptikëve është relativisht i lartë me 30.6% të të pyeturve. Ndërkohë që 24.2 % e të pyeturve mendon se të dhënat janë të sigurta dhe 5.6 % e tyre nuk e dinë nëse të dhënat personale janë të sigurta ose jo.
Të pyetur në lidhje me vështirësitë e hasura në përdorimin e platformës qeveritare e-Albania, rezultatet tregojnë një ndarje interesante midis njohurive të përdoruesve dhe vështirësive që ata hasin gjatë përdorimit të platformës qeveritare e-Albania.
Për një pjesë të madhe të pjesëmarrësve (51.7%), njohuritë për të përdorur shërbimet online nuk ka ndihmuar në shmangien e vështirësive gjatë përdorimit.
“Kjo mund të interpretohet si një tregues që përdoruesit mund të hasin sfida teknike ose logjistike kur futen në platformë, pavarësisht se sa të njohur dhe familjarë janë me shërbimet online.”-thuhet në raport.
Kjo e dhënë vjen pas deklaratës së Edi Ramës në dhjetor të 2023, ku do të deklaronte se të gjithë janë përdorues të rregullt të e-Albania.
Në Kongresin e Partisë Socialiste, Rama tha se “viti i ri (2024) do të hyjë me një e-albania 2.0 bashkë me një platformë ndërveprimi me teknologjinë më të fundit, duke i bërë shërbimet më të thjeshta, përfshirë dhe për të gjithë ata me aftësi ndryshe, përfshirë edhe për të gjithë të moshuarit”, deklaroi Rama, duke shtuar se megjithëse për hir të së vërtetës, kur u futën këto shërbime ata që gjithmonë thonë diçka, thanë i lanë jashtë fare shërbimit pensionistët, “po pensionistët me thënë të drejtën janë përdoruesit më të mëdhenj të këtyre shërbimeve”, tha Rama.
Gjithashtu, një tjetër e dhënë që del nga raporti është dëshira e të anketuarve që të ketë një model të kombinuar, online dhe nëpërmjet sporteleve fizike për të marrë shërbimet publike dhe administrative. Rreth 80 për qind e qytetarëve preferojnë një model të kombinuar.
480 qytetarë i janë përgjigjur pyetësorit dhe një përqindje e madhe e të pyeturve (79.6%) preferojnë një model të kombinuar, duke përfshirë ofrimin e shërbimeve në dy mënyra: online dhe nëpërmjet sporteleve fizike. Kjo preferencë sugjeron se ka një kërkesë për një qasje gjithëpërfshirëse.
Ndërkohë që 15.2% mendojnë se shërbimet duhet të ofrohen vetëm online, 2.7% mendojnë ofrim të shërbimeve vetëm nëpërmjet sporteleve fizike, 1.5% nuk e dinë dhe 1% nuk janë të sigurt.
“Në përgjithësi, shifrat tregojnë një ndërgjegjësim të lartë në mesin e qytetarëve rreth shërbimeve online, ndërkohë që ka ende hapësira për rritje dhe përmirësim të përdorimit të këtyre shërbimeve nga një bazë më e gjerë e popullsisë. Kjo nevojë bëhet me evidente për individët e grup-moshës së tretë të cilët në shumicën e rasteve kanë probleme me përdorimin e internetit si dhe në mënyrë të posaçme përdorimin e platformave elektronike për marrjen e shërbimeve të ndryshme publike. Për këtë kategori, Qeveria Shqiptare duhet të hartojë një plan pune dhe ndërhyrje konkrete dhe të qëndrueshme deri në momentin kur të arrihet një nivel edukimi dhe fitimi i aftësive teknologjike të tilla që do të mundësonin marrjen e lehtë të shërbimeve online nëpërmjet portalit e-Albania”, thuhet në raportin e Qëndresës Qytetare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.