Gazeta Si - Godina e bar-lulishte “Butrinti” në qendër të Sarandës është përfshirë nga flakët mëngjesin e kësaj të premteje. Godina, e cila konsiderohej historike në qytetin bregdetar, dikur ka qenë konsullatë italiane.
Nuk dihen ende shkaqet e rënies së zjarrit, por sipas burimeve, shefi i zjarrfikëseve në Sarandë, Nasibi Hasanllari, është pezulluar nga detyra për mosreagim në kohë të shuarjes së flakëve.
Drejtori i Përgjithshëm i MZSH-së, Arben Cara njofton se deri në sqarimin e rrethanave të ngjarjes, Hasanllari zëvendësohet me drejtuesin e shuarjes së zjarrit Vladimir Kondi.
Studiuesi Auron Tare është gjendur rastësisht në vendngjarje, si dëshmitar i shkatërrimit të godinës së fundit të trashëgimisë kulturore monarkike në Sarandë.
“Pashë që në fillesë si ra zjarri. Reagimi ishte i avashtë. Fillimisht mori zjarr një kjoskë e braktisur. Nëse do të ishte ndërhyrë me kohë godina historike e ish konsullatës italiane do të kishte shpëtuar. Fatkeqësisht, unë qëllova si dëshmitar i rënies së fundit të trashëgimisë kulturore monarkike në Sarandë. Nuk ka më godina të asaj periudhe, ndoshta dhe ish materniteti i vjetër dhe kaq. Ky është fundi i një periudhe historike që duhet thënë që është shkatërruar në mënyrë të suksesshme nga vetë shqiptarët. Asnjë i huaj, pushtues etj. Të gjitha godinat historike të Sarandës janë prishur nga ‘12-ta e këtej. Janë prishur nga neglizhenca, injoranca”, thotë Auron Tare për “Report Tv”.
Me bindje, Tare thotë se kemi të bëjmë me një zjarr të qëllimshëm. “Është bërë qëllimisht për të rrëzuar godinën e ndërtuar më vonë. Është djegur i gjithë kompleksi. Ndërhyrja, vonesa e madhe, ardhja me një tub të hollë, zorrë e vogël e ujë të pamjaftueshme në mes të qytetit. Edhe sikur të mos jetë e qëllimshme tregon.. Jam shumë i mërzitur. Është skenë e vrasjes së një monumenti historik që nuk kishte as status mbrojtës as nga bashkia e as qeveria”, - vijoi Tare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.