Ka ndodhur

Dibër/ Sekuestrohet mbi 1 ton lëndë plasëse për hapjen e minierave, arrestohen 6 vetë

Gazeta Si - Mbi një ton lëndë plasëse që përdorej për hapjen e galerive të minierave është sekuestruar në Dibër.

Policia tha se Policia e Dibrës ka goditur një aktivitet të paligjshëm, ku ka arrestuar 6 persona. Midis tyre dy vëllezër të cilët akuzohen për përvetësim të galerive.

Bëhet fjalë për Brolind Kotja, 25 vjeç dhe  Drilon Kotja., 21 vjeç (persona me precedent të mëparshëm kriminalë, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje), të dy banues në Krastë, përvetësues dhe shfrytëzues, në mënyrë të paligjshme, të një miniere në Batër, Krastë.

Dy vëllezërit kishin përvetësuar një galeri në Batër dhe vazhdonin të kryenin punime, me qëllim nxjerrjen dhe shfrytëzimin e materialit minerar.

Gjatë kontrollit të ushtruar në galeri janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 20 kallëpe me lëndë plasëse dinamit (me peshë 8 kg) dhe 15 kapsolla elektrike.

Gjithashtu, është arrestuar shtetasi H. B., 38 vjeç (minator/zjarrmëtar), punonjës në galerinë e përvetësuar nga dy vëllezërit, për veprën penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.

Në vijim të operacionit janë arrestuar dhe shtetasit:

Ilir Lika 34 vjeç, banues në Krastë, administrator i një subjekti për përdorim dhe tregtim të lëndëve plasëse, për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” dhe “Fshehja e të ardhurave”, pasi në subjektin e tij janë gjetur dhe sekuestruar 1 ton e 56 kilogramë lëndë plasëse dinamit dhe 2275 kapsolla elektrike; shtetasi E. L., 33 vjeç, me detyrë minator/zjarrmëtar në këtë subjekt;

K. L., 48 vjeç, banues në Krastë, administrator i një subjekti për përdorim dhe tregtim të lëndëve plasëse, për veprën penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, pasi në subjektin e tij janë sekuestruar 96 kg lëndë plasëse dhe 1525 kapsolla elektrike.

Gjithsej janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 ton e 162 kilogramë lëndë plasëse dhe 3815 kapsolla elektrike dhe janë vënë në pranga 6 shtetas.

Administratorët e të dy subjekteve për përdorimin dhe tregtimin e lëndëve plasëse, njëri prej tyre edhe drejtues teknik i subjektit të tij, konkretisht shtetasi K. L., tregtonin lëndë plasëse në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me rregullat e përdorimit dhe të tregtimit të lëndëve plasëse.

“Këta shtetas u arrestuan për veprat penale “Ushtrimi i aktivitetit pa qenë i regjistruar pranë organeve tatimore”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municoneve””, tha drejtori i Policisë së Dibrës, Dhimitraq Ziu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë