Lojëra me Dore

Dhunoi arbitrin, përjashtohet përjetësisht basketbollisti Bruno Daliu

Federata shqiptare e Basketbollit nuk e ka shpallur ende vendimin zyrtar, por Bruno Daliu e ka mbyllur me basketbollin. Komisioni i Disiplinës ka vendosur që basketbollisti i Tiranës të përjashtohet përjetësisht nga ky sport, ndërkohë që për të do të ketë edhe një gjobë financiare, mbetet për t’u parë shifra që do të vendosë FSHB-ja.

Bruno Daliu dhunoi me grushte dhe shkelma arbitrin Jurgen Muho gjatë ndeshjes Teuta-Tirana, e zhvilluar të shtunën në mbrëmje në Durrës. Ai u arrestua disa minuta më pas nga Policia e Durrësit dhe rrezikon të vuajë deri në 5 vjet heqje lirie, sipas ligjit të ri, ndërsa Federata, pasi dënoi aktin e shëmtuar me një komunikatë zyrtare, sot ka vendosur ta dënojë përjetësisht Daliun.

Ishte një dënim i pritshëm për këtë basketbollist, që më parë ka qenë edhe pjesë e Kombëtares. Pamjet e sulmit të dhunshëm të tij ndaj arbitrit Muho u përhapën me shpejtësi dhe të gjithë kanë dënuar veprimin skandaloz të basketbollistit 34-vjeçar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë