Njerez

Dhuna në Tik Tok/ Kërkohet bllokimi i aplikacionit kur fajtorë janë (edhe) prindërit…

Nga Gazeta Si - “Të mbyllet TikTok” është një nga fjalitë më të dëgjuara ditët e fundit, pas rasteve tragjike të ndodhura në vend ku burimi ishte dhuna në TikTok.

Por a është TikTok fajtori (i vetëm) për dhunën virtuale?

Sipas ekspertëve, ndalimi i TikTok nuk është zgjidhja për problemin e as fillesa.

“Janë nxënës, nga 9 deri në 13 vjeç që marrin pjesë në ‘live’ të personave që cilësohen si të famshëm në TikTok. Janë nxënës që shkojnë në shkollë pa çanta por kurrë pa telefon. A kanë kontroll këto fëmijë?, thotë për Gazetasi.al Marsida Simo, sociologe.

Ajo thotë se jo pak herë prindërit ndihen të dorëzuar përballë fëmijës sepse nëse fëmija është stimuluar që në moshë të hershme me të tilla video, materiale do i kërkojë vazhdimisht se i ka në rutinën e tij.

“Ruajtja e fëmijëve nga ndikimi i teknologjisë bëhet thuajse e pamundur, pasi teknologjia tashmë ka zënë një hapësirë të rëndësishme në jetën tonë. Përpos anëve pozitive në përdorimin e saj, sigurisht që listohen edhe anë negative. Edhe pse përdoren filtra të caktuar për të ruajtur dhe mbrojtur fëmijët apo të rinjtë, ka ende për tu bërë në këtë drejtim. Sigurisht që një pjesë e barrës së mbrojtjes ju takon dhe prindërve”, shpjegon Manolita Hida, psikologe klinike zhvillimi dhe marrëdhëniesh.

Simo thotë se nëse fëmija shihet se ka një varësi të shtuar apo agresivitet është e këshillueshme të nisë një aktivitet jashtë shkollor, të mbushë kohën me diçka që e ndihmon atë të përqendrohet dhe të shpenzojë energjitë sipas nevojës.

Sociologe Marsida Simo. Gazeta Si, shkurt, 2024.

“Nuk është censura zgjidhja. Duhet të niset nga edukimi, mbushja e kohës me aktivitete cilësore. Nëse fëmija nuk mësohet me “cilësinë dhe të duhurën”, do të bjerë pre e dëshirës për të qenë dhe ai si ai model i suksesit, i parasë së shpejtë, i bullistit të tik tok-ut”, thotë Simo, duke shtuar se me rëndësi është që të krijohen rregulla të reja ku “ulja e minutazhit të qëndrimit në internet sikur edhe nga 10 minuta çdo ditë do bënte punë”.

Hida nga ana tjetër tregon se e gjithë lehtësia e hapjes së një profile në TikTok i bën dhe përdoruesit më të rinj që të jenë pre më e lehtë e ndikimeve të caktuara, gjuhës vulgare, cyberbullismit, imazheve jo reale të krijuara, mirëqenies fallso, trupave të bukur, veprimeve ekstreme të cilat çojnë edhe në probleme që lidhen me vetëdëmtimin apo vetëvrasjen, pornografinë dhe pedofilinë.

“Fëmijët e kanë të vështirë të bëjnë një ndarje të asaj çka është reale dhe çfarë është publikuar për qëllime klikimi dhe përfitimi. Gjithashtu prezenca e filtrave apo dhe pozave të caktuara të cilat i bëjnë imazhet trupore të duken perfekte ndikojnë negativisht në imazhin e vetes. Aty paraqiten njerëz që duket sikur janë të zotë në gjithçka bëjnë e kanë bërë dhe që nuk kanë hasur kurrë në dështime”, thotë Hida duke shtuar se orët e zgjatura në rrjete sociale nuk mund të jenë kurrë zëvendësuese të marrëdhënieve sociale reale, e megjithatë ato po i zënë hapësirat e tyre.

“Në vend që fëmijët të luajnë dhe argëtohen në hapësira fizike, loja dhe argëtimi është spostuar në hapësirën digjitale-tik tok dhe sfidat që ai ofron dhe sfidon përdoruesit. Kjo sigurisht që nuk ndihmon”, tregon Hida.

Manolita Hida, psikologe klinike zhvillimi dhe marrëdhëniesh. Gazeta Si, shkurt, 2024.

Nga ana tjetër, Simo thotë se çdo gjë ka të bëjë me kufijtë, diçka që prindërit nuk po e arrijnë.

“Prezenca në takimet me prindër është shumë e ulët. Prindërit duhet të jenë aty për fëmijët e tyre, duhet të pyesin jo vetëm për notat por edhe nëse kanë ndonjë ndryshim në sjellje. Neglizhenca e prindërve mund të lidhet edhe me kushtet ekonomike, apo me emigrimin por nuk mund të përdoren si justifikim sepse prindi ka përgjegjësi për fëmijën”, thotë sociologia.

Ndërsa psikologe Hida këshillon që prindërit të kenë më shumë kontroll mbi rrjetet sociale që fëmijët përdorin. Këtu mund të aktivizohen programe të kontrollit prindëror.

“Duhet t’u mësojnë fëmijëve kufizimet mbi atë që është personale dhe asaj që është publike e mund të publikohet. Një kufi i qartë duhet të jetë në këtë pikë edhe ruajtja e kontaktit me të afërmit që njohin në jetën reale dhe të mos ndajnë foto apo të dhëna me “miq” tik-toku”, thotë Hida duke shtuar se prindërit duhet të vlerësojnë dhe dëgjojnë fëmijët e tyre, në mënyrë që ata të mos e kërkojnë vlerësimin jashtë dhe në mënyra të pashëndetëshme.

Të inkurajojnë angazhimin në aktivitete sportive, të organizojnë aktivitete rekreative, shëtitje në park, arte, lexim libri, etj.

“Mos harroni, sa më shumë të investoni në marrëdhënien dhe komunikimin me fëmijën tuaj aq më të vështirë do ta ketë rrjeti social, apo shembujt e pashëndetshëm socialë të ndikojnë dhe t’ju bëjnë të ndiheni si të huaj përballë fëmijës tuaj”, thotë Hida.

Sipas rasteve që hasin ekspertet, përdorimi me orë të zgjatur të telefonit është një nga shqetësimet më primare e prindërve sot. Sidomos për fëmijët mbi 10 vjeç ky shqetësim është edhe më i theksuar. Disa prindër shprehen se fëmija e tyre nuk komunikon, nuk ka dëshirë të qëndrojë në prani të familjarëve, ka shkëputje nga aktivitete të tjera (si kurse, sporte) bëhet agresiv nëse nuk e ka telefonin në moment ose kur nuk iu lejohet nga prindërit.

Ekspertet thonë se kjo vjen si pasojë e përdorimit të telefonit që në vegjëli dhe janë prindërit që kanë lejuar përdorimin e telefonit që foshnje.

“Mos lejo telefonin dhe rrjetet sociale përgjatë vaktit të të ngrënit. Në të kundërt, çfarë po ha fëmija yt, ushqim apo tik-tok?!”, thekson psikologe Hida.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë