Ngjarje

Dhuna ndaj bluzave të bardha, protestë në Tiranë dhe Shkodër

Bluzat e bardha protestuan në Tiranë dhe Shkodër kundër dhunës. Mjekët ndërprenë punën përkohësisht në mëngjes, ndërsa protestës në QSUT iu bashkua edhe zëvendës ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli. Mjekët kërkuan që t'i jepet fund dhunës. Madje propozuan edhe rishikimin e Kushtetutës dhe ndëshkime të ashpra ndaj atyre që i dhunojnë në krye të detyrës.
Mjekët në Shkodër thanë se personeli shëndetësor kërkon një ambient pune të sigurte.

“Ne jemi të kujdesur për pacientët tanë, por dhuna nuk sjell cilësi në shërbim. Dhuna lodh e ndikon tek kujdesi që ne duhet të ushtrojmë. Nëse mjekët e infermierët nuk janë të sigurt edhe pacientët nuk janë të sigurt. Dhuna duhet parandaluar para se të ndodhë, ndryshimi duhet të nisë nga ne. Kjo është një thirrje për veprim, për bashkim. Të flasim nën një zë, politika të dëgjojë”, tha mjeku Shpëtim Ymeri.

Ndërsa në Tiranë, mjeku i njohur Tritan Kalo është shprehur se nuk ka një vaksinë për  këtë problem, por duhet të gjendet dhe populli duhet ta ketë të qartë se nuk ua krijojnë problemet mjekët, por politikat që duhet të ndryshojnë.

“Në ‘97 edhe kur shteti u shkërmoq e vetmja që funksiononte ishte mjekësia. Duhet ta konsideroni bluzën e mjekut të shenjtë,” shprehet Kalo.

Gjithashtu në protestë ka reaguar dhe zëvendës ministrja Mira Rakacolli e cila shprehet se të gjithë janë të ndërgjegjshëm për rastet e dhunës kohët e fundit.

“Ne po kërkojmë ndryshime në Kodin Penal që të shtrëngohen masat për ata që dhunojnë mjekët si dhe rritje sigurie në spitale,” shton Rakacolli.

Një ditë më parë mjekët specializantë të QSUT dolën në protestë kundër dhunës së ushtruar ndaj kolegëve të tyre përpara disa ditësh. Ata u shprehën se ndjehen të rrezikuar për jetën e tyre.



Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë