Ngjarje

Dhuna ndaj 3-vjeçares / Protesta para Ministrisë së Arsimit: Në kopshte s’ka kontrolle, edukatoret të pakualifikuara!

Nga Gazeta 'Si'-Qytetarët janë mbledhur sot në protestë para Ministrisë së Arsimit për dhunën e ushtruar ndaj 3-vjeçares në kopshtin privat “Stinët”.

Ata kanë kërkuar më shumë siguri për fëmijët e tyre në kopshtet dhe çerdhet private, si edhe shtim të stafit punonjës në institucionet shtetërore.

Një prej protestueseve u shpreh se në këto kopshte edukatoret nuk janë të përgatitura dhe nuk kanë kualifikimin e nevojshëm për t’u kujdesur për të vegjlit në këto ambiente.

“Jam shumë e indinjuar për atë që i ndodhi fëmijës. Prokuroria duhet ta fusë brenda edukatoren. Nuk mund të punohet pa licencë në mes të Tiranës. Ku janë organet kompetente? Duhet patjetër kontrolle në kopshte dhe çerdhet private. Këtë të shohë ministria. Këtu fillon edukimi dhe prandaj bëhet çdo gjë. Merren edukatoret dhe nuk dihet përgatitja ose profili i tyre. I kam bredhur me radhë çerdhet, të gjitha thonë se nuk kanë diploma për këtë punë.

Këtë të bëjë ministrja, le të rregullojë këtë problematikë për brezin e vogël. Kontrolli duhet të nisë nga shteti. 40 fëmijë janë në shtet për 2 edukatore në shtet. Ato janë heroina, por është e pamundur. Po pranojmë këta emigrantët, po këta të vegjlit tanë?”-u shprehën protestuesit mes të tjerash.

Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg për edukatoren, e cila akuzohet për veprën penale “keqtrajtim i të miturit.”

Ngjarja ndodhi më 1 nëntor, por edukatorja që dhunoi 3-vjeçaren është marrë në pyetje pas gati një jave (7 nëntor), pasi ngjarja u bë publike nga prindërit e vajzës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë