Ka ndodhur

Devoll, 73-vjeçari goditet me sëpatë në kokë nga fqinji. Banorët: Të dehur u zunë për lojën me letra

Gazeta Si - Policia ka zbardhur një ngjarje të ndodhur një ditë më parë në Devoll, e cila u tentua të fshihej.

Vasil Babinis ka goditur me sëpatë në kokë fqinjin e tij 73-vjeçar, Vasil Begolli, i cili ndodhet në spital. Ky i fundit ka deklaruar fillimisht përpara oficerit të policisë se ishte rrëzuar aksidentalisht në oborrin e banesës së tij.

Por nga provat e siguruara nga hetimi, doli se Vasil Babinis, 62 vjeç, banues në Bilisht, Devoll kishte goditur sëpatë në kokë 73-vjeçarin për motive të dobëta, pasi të dy dyshohet se kanë qenë të dehur. I plagosuri është transportuar nga spitali i Korçës në Spitalin e Traumës Tiranë për mjekim të specializuar.

Pronari i lokalit Ervis Begolli u shpreh se debati nisi për lojën me letra dhe të dy filluan të shtyheshin me njëri tjetrin. Sipas tij ngjarja ka ndodhur pasi ata kanë shkuar në banesën e të plagosurit.

“Autori dhe i plagosuri po luanin me letra në lokal. Kanë filluar debatin me njëri tjetrin për lojën me letra. Kemi ndërhyrë fillimisht për t'i qetësuar dhe të dy kanë vazhduar lojën. Pas 30 min filluan debatin sërish duke u goditur dhe shtyrë me njëri tjetrin. Sërish ndërhymë duke i ndarë. Sot morrëm vesh që konfikti ka vijuar në banesën e të plagosurit dhe na ka ardhur shumë keq. Të dy kishin pirë disa gota dhe ishin të dehur”, - tha Begolli.

Ndërsa banorët e zonës i përshkruajnë si njerëz të mirë e jo të sherrit, ata theksojnë se konflikti ka ndodhur, pasi të dy kanë qenë të dehur.

“I njohim, fshatarë i kemi. Njerëz të mirë, s’janë të sherrit, ku dimë ne, momenti. Kurrë s’janë zënë me asnjë në fshat. Luanin me letra, s’dimë gjë tjetër”,- tha një nga banorët e fshatit. “Për inat të lojës, bënë sherr pastaj”, - përfundoi një tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë