Gazeta Si – Bisedat në “Sky ECC” mes të pandehurve të grupit kriminal që drejtohej nga “Rrajat” në Nikël, kanë dokumentuar aktivitetin dhe mënyrën e koordinimit mes anëtarëve dhe përpjekjet për të shmangur goditjen nga organet ligjzbatuese.
Sipas dosjes hetimore të SPAK, në bisedat e zbardhura në aplikacion nga hetuesit, anëtarët e grupit flasin hapur për dështimin e një rruge trafiku të drogës në Mal të Zi dhe Turqi.
Në rastin e fundit, të dyshuait diskutojnë për arrestimin e drejtuesit të kamionit nga policia turke, ku shprehin keqardhje: “Gjynah, e kanë kap”.
Ndërsa për një sasi tjetër marijuane më të madhe në Mal të Zi, ata shprehen. “Kanë ra kutitë dje në Podgoricë”, thotë një prej të akuzuarve, sipas përgjimeve në “Sky ECC”,duke iu referuar kapjes së një sasie prej 1.7 tonësh kanabis.

“Na marshin t’keqen”, ia kthen bashkëbiseduesi. Në vijim të bisedës, anëtarët shprehin dyshime për bashkëpunim me autoritetet nga persona të përfshirë në rrugën e trafikut që u godit në Mal të Zi.
Madje njëri prej tyre paralajmëron të tjerët të mos mbajnë gjë në shtëpi, për shkak të ndonjë kontrolli të mundshëm policor.
“Paskan bashkëpunu me shtetin ato që kishin rrugën që ra në Mal të Zi, mos mani gjo nëpër shpia”, thuhet në komunikimet e zbardhura.
Grupi hetimor ka arritur të zbardhë rolet dhe mënyrën se si funksiononin 3 prej grupeve, ku në krye të njërit qëndronte Rexhep Rraja, i cili ishte porositësi dhe organizatori i trafikimit të 236 kg bimë narkotike marijuanë në Kapikile të Turqisë më datë 26 janar 2021.
Anëtarë të grupit ishin edhe dy pjesëtarë të tjerë të fisit Rraja, Përparim Rraja pronari i gurores në Borizanë për të cilën u dhunuan dy kushërinjtë Maja, si edhe Gazmir Rraja.
Ndërkohë, anëtarët e tjerë ishin Bujar Sefa (alias Xaka), Agim Nina (alias Lorenc Selmani), Jani Çavo, Aldo Gjini (alias Iamandi), Sokol Qaja, Marvin Bushati dhe Elton Bogdani, ky i fundit shoferi që ka transportuar lëndën narkotike me kamion.
Agim Nina ishte personi që mbante kontakt të drejtpërdrejt me shoferin e kamionit, i cili vazhdimisht e informon Jani Çavon dhe më pas anëtarë të tjerë të grupit mbi vendndodhjen e shoferit, duke i dërguar me foto komunikimet që ka pasur me të në aplikacionin “WhatsApp”, i cili e vë në dijeni për vendndodhjen, mjetet që kishte përpara në radhë në pikën kufitare Edirne-Kapikule, skanerin që do i bëhej kamionit dhe më pas për kontrollin fizik të mjetit, fakt për të cilin ndihej i shqetësuar.
Grupi kishte organizuar gjithçka në detaje për të trafikuar lëndën narkotike në Turqi përmes një kamioni, por në pikën e kalimit kufitar diçka nuk shkoi sipas planit.
Kamioni me targa shqiptare, brenda së cilit ishte fshehur droga në pjesën e tavanit, kishte kaluar skanerin pa probleme, por policia turke e kishte ndaluar kamionin prej mbrëmjes së 26 janarit dhe pritej t’i ushtrohej një kontroll i imtësishëm.
Mëngjesin e datës 27 janar 2021, Gazmir Rraja i shkruan Bujar Sefës se është vënë në dijeni nga drejtuesi i kamionit, se kishte hyrë në ambientet e doganës turke, por sipas tij, mjetin e kanë futur për kontroll fizik, dhe nuk kishte dalë nga ambientet e doganës, ndërsa drejtuesi i mjetit pas atij momenti nuk ka kthyer asnjë lloj përgjigje.
“O vëlla, ajo rruga që patëm nis ka hy mbrëm në dogan nga ora tetë e darkës, na lajmëroi se jam tu hy, ene jan tu më fut në kontroll fizik, tha ai shoferi mo. I ka thën atij pronarit të kompanisë, edhe ma çoi ai lokacionin ene bisedat e të gjitha, domethën ka hy mbrëm në tetë të darkës e nuk ka dale ala. As nuk ka kthe përgjigje asnjë lloj gjëje. Ka çu rob ai sot, e ka ра kamjoni është aty në dogan, mirëpo as në lajme ska dale asnjë gjë, deri nesër tha ju sqaroj”, i shkruan ai.
Gazmir Rraja i shkruan Sefës se me 99% drejtuesi i kamionit është arrestuar, por ende asgjë nuk ka dalë në lajme.
“Nëntëdhjet e nëntë përqind ne menojm se ka ra, a e kupto, se dersa ka hy mbrëm në tet të darkës e ska dal ala prej kontrollit, do të thotë se e kan kap. Mendoj se ka ra, po nesër mo sqarohet sa të dal nëpër media nëpër gjona, të tregojnë edhe lajmet, të gjitha mo, ta shohim se sdim gjë as ne për zotin ala”, vijon ai.
Një ditë më pas, më 28 janar 2021, Gazmir Rraja i shkruan Sefës se kamioni ishte kapur, pasi shoferi kishte marrë në telefon nusen e vet dhe e kishte njoftuar në lidhje me ndalimin e tij.
Deri më tani SPAK ka prangosur 10 nga 14 persona që përbëhet grupi, katër prej tyre vijojnë të jenë në kërkim dhe sipas hetimeve të implikuar janë edhe familjarë të ish-deputetit socialist, Rrahman Rraja.
Ata azkuohen për trafik kokainë dhe marijuane nga Mali i Zi dhe Turqia dhe drejt vendeve të BE-së. Në kërkim janë Ervis Shuli, Bujar Sefa, Hajdar Sefa dhe Vildan Baroku. Të gjithë akuzohen si pjesë e këtij grupi të trafikut të drogës që e ushtronte këtë aktivitet nga viti 2020.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




