Lojëra me Dore

Dështimi i kombëtareve në volejboll, mposhten edhe në Tiranë

Nuk është një moment i mirë për volejbollin shqiptar. Pas vitit 2018, që u konsiderua si një nga më të suksesshmit e volejbollit shqiptar për shkak të kualifikimit të kombëtares së femrave në “Final Four”, ky vit i ri ka rezultuar tejet negativ.

Në dy ndeshje që kanë zhvilluar të dyja ekipet kuqezi në kuadër të eliminatore për kampionatin europian, janë mposhtur me rezultate të thella. Meshkujt janë mposhtur 3-1 nga Portugalia, ndërsa vajzat kuqezi u mposhtën nga Kroacia 3-0. Është një paraqitje shumë negative, për të dyja skuadrat përfaqësuese, por sidomos për atë të femrave, që duket totalisht e transformuar nga ai ekip që bëri historinë në pranverën e vitit të shkuar në Ligën e Europës.

Faza e rindërtimit në volejbollin e femrave

Pas kualifikimit në “final four” dhe medaljes së bronzit, kombëtarja e femrave në volejboll u përfshi nga një revolucion i thellë, ku shumë prej lojtareve me eksperiencë u tërhoqën. Lojtaret e reja edhe pse të talentuara, nuk mundën dot ta mbajnë barrën e rëndë të fanellës kuqezi dhe rezultatet në këto eliminatore kanë lënë shumë për të dëshiruar. Trajnerit Altin Martiri tashmë do i duhet shumë punë për ta ringritur këtë ekip aty ku ishte disa muaj më parë.

Ndërkohë sa i takon ndeshjes së luajtur mbrëmjen e së mërkurës në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në Tiranë, nuk kishte shumë histori. Skuadra nga Kroacia ashtu si në ndeshjen e parë edhe këtë herë tregoi supermacinë e saj të plotë, duke triumfuar në shifrat e pastra 3-0. Kombëtarja e Shqipërisë në volejboll për femra e mbylli këtë turne në vendin e fundit, pa asnjë pikë.

Kombëtarja e meshkujve ruan nderin

Për meshkujt situata është pak më pozitive edhe pse duhet thënë se është shumë larg pritshmërive. Përballë një ekipi si Portugalia që nuk ishte pretendenti kryesor i grupit, nga djemtë kuqezinj pritej një rezultat më i mirë se sa disfata 3-1. Ekipi shqiptar tregoi një nivel të kënaqshëm, krahasuar me atë të pak ditëve më parë në Austri. Gjatë gjithë lojës djemtë kuqezinj treguan dëshirë dhe vullnet për ta fituar ndeshjen me portugezët, por mungesa e eksperiencës në disa raste i penalizoi.

Me këtë humbje që mbylli edhe këto eliminatore të kampionatit europian, Shqipëria në volejboll për meshkuj nuk shkoi dot më shumë se vendi i katërt. Në total Shqipëria mori dy fitore dhe katër humbje. Me grupin që trajneri Jani Melka kishte krijuar ishin rritur shumë shanset për një hop cilësor, por dy humbjet në katër ditët e fundit kanë përmbysur gjithçka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë