Gazeta Si - Sokol Mjacaj është transferuar nga godina A e burgut të Peqinit, në godinën B, ku ndodhej edhe Arben Lleshi, rreth 3 muaj para se të ekzekutonte të dënuarin përjetë dhe plagosur shokun e tij të qelisë, Indrit Shaqja.
Në dëshminë e tij, shefi i regjimit të burgut të Peqinit, Vilson Shima 37 vjeç, ka zbuluar procedurën që u ndoq për transferimin e Mjacajt në sektorin ku kreu vrasjen.
Po ashtu, 4 ditë para se të ndodhte vrasja më 15 dhjetor, Mjacaj është transferuar nga dhoma nr.3 në katin e dytë sektori 6, në dhomën nr.9, në katin e dytë të sektorit 1.
Shefi regjimit të burgut, thotë se ditën që Mjacaj ka ndërruar dhomën është shoqëruar nga një grup punonjësish sigurie dhe se sendet e tij personale nga dhoma e parë i ka marrë vetë në dorë dhe është kaluar te dhoma nr. 9.
Vilson Shima thotë se në këtë moment nuk ka qenë i pranishëm, pasi ka qenë me shefin e policisë dhe shefin e regjimit të godinës A dhe punonjësit e tjerë për sistemin e të dënuarve të tjerë, pasi kishin urdhër për të boshatisur të gjithë hyrjen nr.2, pasi do hapej sistemi ‘41 biz’.
Shima ka dëshmuar se kontrolli fizik, si edhe kontrolli i dhomës së Sokol Mjacajt është bërë rreth 1 muaj e gjysmë para se të ndodhte vrasja dhe nuk i është gjetur asnjë send i kundraligjshëm.
Ndërsa Mjacaj takimin e fundit e ka realizuar rreth 3 muaj para vrasjes me kunatën ose vëllanë.
Ai ka rrëfyer se nuk ka qenë në punë në momentin e ngjarjes për shkak të një gëzimi familjar, ku më pas ka marrë leje dhe është larguar. Sipas tij lajmin se Sokol Mjaçaj ka vrarë Arben Lleshin e ka marrë vesh në media, e më pas është thirrur për të dhënë dëshminë.
“Unë jam njohur me ngjarjen napërmjet mediave, gjatë kohës që unë kam qënë në banes me familjarët e mi dhe duke festuar lindjen e djalit tim. Dua të them se shtetasi Sokol Mjaçaj është i sistemuar në dhomën nr.9 në katin e 2 (dytë) sektori nr.1, në këtë dhomë ai ka rreth 4 ditë që është akomoduar dhe qëndron në dhomë me shtetasin Ëngjëll Ucaj, të dy këtë shtetas janë të dënuar me burgim të përjetshëm.
Dua të them se para 4 (katër) ditësh kur është akomoduar i dënuar në dhomën nr.9 në katin e 2 (dytë) sektori nr.1, është shoqëruar me një punonjës grup sigurie dhe sendet e tij nga dhoma e parë i ka marrë vetë në dorë dhe është kaluar të dhoma nr. 9, unë nuk kam qënë i pranishëm në transferimin e shtetasit Sokol Mjaçaj, pasi kam qënë me shefin e policisë dhe shefin e regjimit godinës A dhe punonjësit e tjerë për sistemin e të dënuarve të tjerë, pasi kishim urdhër për të boshatisur të gjithë hyrjen nr.2, pasi do hapet sistem (41 biz). Dua të them se kontrolli i dhomës dhe fizik i shtetasit Sokol Mjaçaj është bërë rreth para 1 (një) muaj e 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh, nga kontrolli nuk është konstatuar asnjë send i kundraligjshëm.
Dua të them se shtetasi i ndjerë Arben Lleshi ka qënë i akomoduar në katin e par Sektori nr.2, godinën nr.B, dhoma nuk më kujtohet, shtetasi Arben Lleshi ka qëndruar në dhomë gjatë gjithë kohës i vetëm. Në lidhje me sa po më pyesni dua të them se sektorët në ajrim dalin të ndarë veç e veç, dhe nuk bashkohen në ambientet e ajrimit dhe ambiente e përbashkëta mbyllen që mos të kenë kontakt apo konflikte. Nuk kam dijeni që shtetasi i ndjerë të ishte me plan masash, si dhe nuk më është komunikuar ndonjë gjë e tillë verbalisht. Dua të them se shtetasi i ndjerë Arben Lleshi është i evidentuar në listën e personave të përfshirë në konflikt, por jo më shtetasin Sokol Mjaçaj”, ka deklaruar Shima.
Pas vendimit të Gjykatës së Elbasanit këtë të martë, Shimës I është caktuar masa “detyrim paraqitje” për shkak se ka një fëmijë me problem shëndetësore dhe nuk ka kush të kujdeset për të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.