Ana e errët

Dëshmitë e emigrantëve/ Trafiku i klandestinëve, shqiptarë, arabë, kosovarë dhe serbë bashkë në rrjete

‘Kam ardhur në Shqipëri për punë dhe kam qëndruar tek një hotel në Tiranë”, kështu e nis rrëfimin e tij siriani D. Al Saleh.

Ai qëndroi në kryeqytet me një shok të quajtur M. D. por nisjen drejt Evropës e kreu përmes rrjeteve sociale.

Në rastin e tij udhëtimi i mëpasshëm drejt Evropës vijoi  përmes komunikimeve në platformën e Facebook

“ Na kontaktoi një grup arab që qëndron në Shqipëri, na dhanë kontakte dhe vendndodhjen, udhëtimi ynë më pas ishte i tillë ne duhet të shkonim në Kosovë. Na thanë rrini në atë vend dhe do vijmë t’ju marrim. Ne u nisëm dhe kur policia e ndaloi makinën tonë zbuluan nga telefonat tanë se për udhëtimin nga Tirana në Kosovë ne paguanim 400 euro për person”

Ky rrëfim që Gazetasi.al disponon është pjesë e një dëshmie të një shtetasi sirian të ndaluar rastësisht nga policia që pikasi një makinë me pasagjerë dhe u bëri shenjë të ndalonin.Por shoferi një djalë i ri në moshë, që më pas rezultoi se ishte një 25 vjecar nga Kukësi manovroi dhe u përpoq që të largohej, ndonëse kjo arrati zgjati vetëm pak minuta. Në bordin e makinës u gjetën dy shokët sirianë, ndërkohë që shoferi ngriti supet dhe pranoi vetëm kaq: Është hera e parë që e bëj këtë gjë, jam pa punë dhe do t’i çoja si pasagjerë deri në Morinë

Por trafiku i emigrantëve të paligjshëm që po lulëzon prej muajsh, ka ngritur rrjete të mirëfillta të lëvizjes së shtetasve që udhëtojnë mijëra kilometra larg Lindjes së Mesme.

“Pa asnjë dyshim dy qytete janë kthyer në porta të kalimit të emigrantëve, udhëtimin e të cilëve e garantojnë hallka të ndërlidhura mirë me njëra tjetrën” deklaron një zyrtar policie për Gazetasi.al sipas të cilit këto qytete janë Vlora dhe Kukësi.

“Përmes këtyre dy qyteteve që janë pranë pikave kufitare që kapërcehet drejt Italisë dhe Kosovës, besojmë se rrjetet janë riaktivizuar, ndonëse shoferë mjetesh apo taksistë pretendojnë se pasagjerët në mjetet e tyre janë rastësore. Duhet bërë më shumë në aspektin e zbulueshmërisë, rastet e goditura janë në nivel transportuesish, por ende nuk ka evidenca për bazat ku strehohen dhe formatet e sofistikuara të kalimit të emigrantëve përtej kufirit shqiptar”- këmbëngul gjatë intervistës një punonjësi i policisë së kufirit, i cili është i bindur se një kontroll më i fortë i vijës bregdetare midis Greqisë dhe Gjirokastrës apo Korcës është vetëm njëra nga detyrat. Të tjerat i përkasin strukturave që duhet të parandalojnë krijimin e këtyre rrjeteve që sidomos gjatë COVID19 ilustruan se mbi të gjitha kriminelët çanë çdo masë kufizuese dhe u ndërlidhën

D. Al Saleh rrëfen në dosjen hetimore se ai nuk kishte asnjë informacion se di do ja dilte të realizonte udhëtimin e tij të parregullt nga Tirana ku u strehua dhe u mbajt në një hotel drejt Kosovës

“Unë erdha për punë këtu, por këtu na treguan se mund të ikja në Kosovë se mund të merrja më shumë para atje. Plani që u bë ishte do shkoja në Kosovë, pastaj në Serbi dhe do kaloja përkohësisht në Austri dhe Gjermani

Megjithatë me emra arabësh disa prej të cilëve kanë agjenci turistike dhe pune në Tiranë, agjentët e policisë së Tiranës këmbëngulin për gazetën Si se janë të bindur se në kryeqytet emrat e trafikantëve që organizojnë lëvizjet janë të ditura nga të interesuarit. Edhe në dosjen që ju tregua Gazetasi.al, emigrant pyetet: A e njeh S.?  Siriani ashtu sic pritej nga agjentët përgjigjet kategorikisht mohues: unë nuk e njoh,  por në grupin e Facebook dikush më shkroi unë jam shoferi dhe më dërgoi vendndodhjen

Adresa që ju dërgua emigrantit ishte pikërisht vendi ku ata duhet të dilnin dhe prej nga ku do të merrnin mjetin që i priste për të vijuar udhëtimin e tyre nëpër Evropë

Për policinë veprimet e mëpasshme hetimore zgjerohen në kqyrjen e telefonit dhe të bashkëbiseduesve që orientojnë sirianin.

Njëri ndër ta është edhe shoferi që u kap në flagrancë. I riu me inicialet K.G, shfajëson gjithë të tjerët dhe pretendon se kapi çastin për të fituar dy lekë më shumë mbasi është i papunë

“ Anglishtja ime është e dobët, edhe kaq e kam mësuar gjatë kohës kur isha në Angli . Makinën e mora me qera, megjithatë një shok i imi që se mbaj mend më kërkoi të merrja dy qytetarë e t’i hidhja deri në Morinë. Udhëtova në rrugë dytësore dhe jo kryesore dhe pranë Institutit policia kërkoi që të ndalojmë,” rrëfen 25 vjeçari që u arrestua për dhënie ndihmë të kalimit të paligjshëm të kufirit. Veprimet e policisë zbuluan se edhe ai u pagua përmes rrjeteve sociale me 150 euro për të kryer transportin, ndërkohë që agjentët besojnë se ky rast është pikërisht një nga ato hetime që përfshin edhe trafikantë të tjerë që do të vijonin kalimin, si disa numra serbë dhe kosovarë , por edhe arabë që jetojnë në kryeqytet dhe që janë edhe më herët të hetuar e proceduar për raste të tilla. Që megjithatë në të gjitha rastet i kanë shpëtuar drejtësisë, me metoda që ende nuk sqarohen se si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë