Ana e errët

Dëshmia ekskluzive: Emiljano Shullazi mori tritolin e vrasjes së Vajdin Lamajt nga Lul Berisha

Kafazi i Gjykatës së Posaçme në Tiranë pritet të mbajë në të njëjtën kohë protagonistë të krimit ndër më të njohurit pas viteve 1990. Viktor Ymeri dyshohet se është personi që siguroi dhe gjeti specialistin që vendosi lëndën plasëse në ashensorin ku gjendej Vajdin Lamaj dhe miku i tij, Artan Arsi.

Ndonëse në shkurt 2005, Viktor Ymeri i njohur ndryshe si Tori i Xhihanës gjendej në burg duke vuajtur ndëshkimin me burgim të përjetshëm, një dëshmitar i mbrojtur nga drejtësia e përfshin atë dhe disa të tjerë në dy krime që tronditën vendin 15 vite më parë.

Burime të besueshme dhe të sigurta të gazetës “Si” deklarojnë se hetimi u përshpejtua gjatë muajve nëntor-dhjetor, atëherë kur dhe dëshmitari L.R., firmosi përkatësisht më 26 nëntor 2020 marrëveshjen e bashkëpunimit me drejtësinë. Hetimet për vrasjen e Vajdin Lames, Artan Arsit nga njëra anë dhe vrasja e Klodian apo Kleidi Saliut dhe Osman Trumës rifilluan pasi ishin pezulluar nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda me arsyetimin se nuk ishin zbuluar autorët e ngjarjes.

Një dëshmitar

L.R., i penduari i drejtësisë dhe bashkëpuntori i saj i bashkohet listës së dëshmitarëve që ashtu si Adriatik Coli më herët, i hap punë dhe telashe ish-bandës së Durrësit, e cila nga data 2 dhjetor ka në kërkim me vendim gjykate dy nga anëtarët e saj , Lulzim Berishën dhe Plarent Dervishin. Lenti, si e konsideron shkurt dëshmitari Plarent Dervishin, ka marrë pjesë personalisht në vrasjen e Klodian Saliut, që ishte rivali më i ashpër i bandës së Durrësit dhe që duhej ekzekutuar me porosi të shefave përkundër garancisë se ata më pas do të eleminonin për barazim kundërshtarët e dëshmitarit L.R.

“Banda kishte frikë se mos Klodian Saliu i vriste dhe në këmbim ata do të vrisnin hasmin tim”, mësohet të ketë dëshmuar i mbrojturi i drejtësisë, i cili sipas burimeve të gazetës “Si”, pranon se ka marrë pjesë në këtë atentat të kryer me një armë Scorpion.

“Pasi makina e Klodit përfundoi në kanal Taullai bërtiti: O lal mbaje mbaje”, kujton dëshmitari i mbrojtur, sipas të cilit përpara se të merrte pjesë në krim, ku dhe ishte si shofer mjeti, ai kishte udhëtuar në Durrës. Bëhet me dije, sipas tij, se e ka ruajtur viktimën gjatë muajit shkurt, jo vetëm për ta njohur si identitet, por edhe për të mësuar rutinën e lëvizjeve të tij, kurse një personi me emrin Çeço i ishte caktuar detyra që të njoftonte të implikuarit për lëvizjet e shënjestrës menjëherë sapo ai të udhëtonte nga zona e njohur si “Plepat”.

Vajdini

Dosja e Vajdin Lames zbardhet sërish nga dëshmia e L.R., sipas të cilit banda e Durrësit e kishte porositur për ‘Nëntat” që në gjuhën e kriminelëve do të thotë kallëpe tritoli.

“Telefonova A., që merret me tregti minash. I shkova në shtëpi. Ai u fut brenda dhe pas 45 minutash më dha një minë me telekomandë. Për t’i përgatitur më ndihmoi nipi që është vrarë dhe një person tjetër”, thotë dëshmitari.

Dëshmitari i drejtësisë u thotë prokurorëve të SPAK se më vonë është telefonuar nga krerë të bandës së Durrësit, që e kanë vënë në dijeni se do të vinte një person për të marrë porosinë. Sipas tij, referuar asaj që grupi i hetimit citon për gazetën “Si”, dëshmitari së bashku me të tjerë kanë shkuar në një banesë ku do të prgatitej më tej lënda plasëse për të cilën ai nuk kishte dijeni se kundër kujt do të përdorej.

Dëshmitari pretendon se gjatë përgatitjeve, plani ka ndryshuar në momentin e fundit dhe është vendosur që të zëvendësohej me C4, një lëndë që dëshmitari e njihte pasi e kishte parë edhe herë tjetër. Dëshmitari L.R., pretendon se kjo lëndë plasëse është marrë nga një makinë “Peugeot” dhe kur kishte hapur derën ai kishte njohur si shofer Emiljano Shullazin , i cili duke u larguar i kishte përshëndetur “Natën e mirë çuna!”.

Dëshmitari i drejtësisë këmbëngul se vrasjen e Vajdin Lames e mësoi nga media dhe menjëherë kishte telefonuar Lulzim Berishën që i tha: “Jam larg! Këto janë punë të Indritit”. Ky i fundit ja kishte konfirmuar se e kishin bërë copë-copë, ndërsa vite më vonë, kur L.R., u transferua në burgun e Peqinit, ku kishte takuar të dënuarin e përjetshëm Viktor Ymeri, ai i ishte mburrur: “Ata vetëm hapen b…! Unë ua gjeta njeriun që mbaroi punë me Vajdinin”.

Këto dëshmi dhe deklarata të L.R. i kushtojnë tashmë një masë tjetër sigurie Emiljano Shullazit, i cili pret në Gjykatën e Apelit gjyqin për grup të strukturuar, e që ndërkohë mbahet edhe në regjimin e ashpër “41bis”. Po ashtu Viktor Ymeri, i cili nuk mbushi as një vit i lirë pasi gjykatat i zhbënë dënimin e përjetshëm do të rikthehet në paraburgim për grup të strukutruar kriminal, që i hedhin hije për vrasjen e dyfshtë, si edhe Indrit Taullait, një ushtar i bandës së Durrësit i arrestuar në Prizren për llogari të SPAK. Jetës në arrati i janë rikthyer Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishaj, të cilët i penduari pretendon se i njeh prej më tepër se 25 vite.

Por a është kjo lulja e parë e pranverës? Shumë krime të tjera të pazbadhura dhe që ka dyshime se u urdhëruan nga krimi i organizuar shpresohet të zbardhen nga SPAK.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë