Lajme

Dëshmia e bashkëshortes së Jan Prengës: Dy ditët e fundit ishte shumë i shqetësuar

Kur kanë kaluar gati dy muaj, nga dita e rrëmbimit të Jan Prengës në Kamëz, është zbardhur dëshmia që ka dhënë para hetuesve gruaja e tij.

Mësohet se gruaja e Prengës ka treguar se te bashkëshorti i saj, ditët e fundit përpara se të rrëmbehej, ka parë shqetësim, por arsyet ajo nuk ka mundur t’i shpjegojë.

“Me Janin jam e martuar prej 27 vitesh dhe kemi 3 fëmijë. Më 17 janar rreth orës 17:30 dolëm me Janin dhe pimë një kafe në lagje dhe u kthyem në shtëpi. Ai qëndroi disa kohë dhe doli duke më thënë se kishte punë tek toka në bashki dhe në bankë. Në orën 10.30 fola sërish me të dhe më tha se sapo të mbaronte punë në Bashki do të kthehej në shtëpi. Pas këtij momenti nuk kam komunikuar me të. Dua të shtoj se Jani nuk kishte probleme me askënd dhe nuk kishte as borxhe, vetëm një kredi që e paguante rregullisht. Jani nuk kishte problem me alkoolin si dhe nuk përdorte lëndë narkotike. Vëllezërit e tij jetojnë në Angli dhe për Krishtlindje na vizitoi njëri prej tyre. Dy ditët e fundit, ai ishte shumë i shqetësuar, kishte pagjumësi, por për këto shqetësime nuk më tha asgjë”, ka thënë Marie Prenga, bashkëshortja e 49-vjeçarit Jan Prenga.

Ndërsa prindërit e Jan Prengës kanë dëshmuar se djalin e tyre e takuan një ditë para se të rrëmbehej, pasi shkuan për drekë në shtëpinë e tij. Ata janë shprehur se i biri nuk kishte asnjë shqetësim dhe se njërin nga djemtë e kanë të arrestuar në Angli për çështje droge.

Jan Prenga u mor peng më 17 janar në Kamëz dhe rrëmbimi i tij kishte në mes pazare droge. Rrëmbimi i tij erdhi si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatorët dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Angli. Vëllai i Jan Prengës, që jetonte në Angli, ishte kontaktuar nga një grup i fuqishëm që me kamionin e tij të nxjerrë nga Mbretëria e Bashkuar rreth 283 kg kokainë, që mbërrinte nga Amerika Latine. Ai e kishte marrë porosinë dhe nuk e kishte çuar në destinacion.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë