Gazeta Si - Gjatë dëshmisë së tij dy javë më parë para prokurorëve belg në ambientet e SPAK, në lidhje me dosjen “Toyota Yaris”, kryedemokrati Lulzim Basha ka deklaruar se informacionin e ka marrë përmes një letre denoncuese që i ka mbërritur nga qytetarët. Sipas burimeve paraprake, Basha ka bërë një përmbledhje të asaj që ka ditur para grupit hetimor belg.
“Qytetarët e informojnë Partinë Demokratike për shumë çështje, një ndër të cilat është edhe informacioni për shumën e konsiderueshme të parave të sekuestruara në portin e Durrësit në qershor të vitit 2018”, - mësohet të ketë thënë ai.
Më tej Basha është pyetur nëse ka një protokoll për mënyrën e marrjes së denconcimeve, ndërsa ai është përgjigjur se nuk ka një gjë të tillë.
Përveç Bashës, në pyetje në lidhje me këtë çështje janë marrë edhe 7 persona të tjerë.
Bëhet fjalë për një makinë “Toyota Yaris”, ku në qershor të vitit 2018 policia sekuestroi një shumë parash prej 3.4 milionë eurosh. Shuma u fut ilegalisht dhe dyshohet nga SPAK se janë para të ardhura nga një aktivitet i paligjshëm në Belgjikë.
Kryedemokrati Basha ishte personi i parë që denoncoi në Kuvend çështjen e ‘Toyota Yaris’ kur ajo nuk ishte bërë ende publike. Ai iu drejtua Taulant Ballës dhe i tha se ai kishte porositur një makinë “Toyota Yaris”.
“Qesh ti qesh, zgërdhiu! Ai që po zgërdhihet më shumë ka qenë para tri ditëve në Shqipëri. Ai zgërdhitësi ka marrë “Toyta Yaris”-in. Por t’u zbulua Toyota”, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda. Sepse zgërdhitësi thoshte s’kemi probleme, s’kemi drogë, reformat po ecin, krimi po luftohet, ekonomia po ecën, ku në fakt e vërteta është ajo që di çdo shqiptar e nuk ka nevojë ta thotë opozita”, - iu drejtua Basha deputetit socialist nga foltorja në 22 qershor 2018.
Për këtë çështje Basha ka dëshmuar më herët në Prokurorinë e Tiranës. Por nëse dosja në Shqipëri është mbyllur, Belgjika vijon ende hetimet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.